Një takim mes Ruben Amorimit dhe drejtorit sportiv të Manchester United, Jason Wilcox, përfundimisht çoi në shkarkimin e trajnerit kryesor.
Amorim u largua nga posti të hënën në mëngjes, duke i dhënë fund një periudhe të trazuar 14-mujore, gjatë së cilës trajneri portugez nuk arriti të sjellë ringjalljen që klubi e kërkonte me ngulm.
Sipas raportimeve të Sky Sports, bordi i United përfundimisht ndjeu se “nuk kishte zgjidhje tjetër” veçse të bënte një ndryshim, pasi Amorim të dielën nxori në pah përçarje të thella mes trajnerit dhe hierarkisë së klubit.
Tashmë është zbuluar se tensionet kishin qenë të larta edhe para fundjavës. Amorim dhe Wilcox u takuan të premten, me iniciativë të vetë trajnerit, për të diskutuar në detaje qasjen taktike të ekipit pas barazimit zhgënjyes 1-1 ndaj Wolves, skuadër që ndodhej në fund të tabelës.
Në atë ndeshje, United ishte rikthyer te mbrojtja me tre lojtarë kundër një ekipi që kishte vetëm dy pikë në gjysmën e sezonit.
Sky Sports pretendon se reagimi i Amorimit në atë takim ishte “shumë negativ dhe emocional”, gjë që la disa brenda klubit “të tronditur”, duke shtuar se “sjellja emocionale dhe e paqëndrueshme e Amorimit ishte një faktor kyç në vendimin për ta shkarkuar”.
Sugjerohet se klubi beson që Amorim nuk ofronte më stabilitetin dhe strukturën e nevojshme për ta udhëhequr projektin, pasi kishte refuzuar vazhdimisht të përshtatej dhe të evoluonte qasjen e tij taktike nga sistemi i shumëkritikuar 3-4-3.
Darren Fletcher është vendosur në krye të ekipit si trajner kujdestar, me pritshmërinë që një trajner i përkohshëm të marrë drejtimin e klubit për pjesën e mbetur të sezonit.
Ndërkohë, Enzo Maresca konsiderohet favorit i hershëm nga bastoret për ta marrë drejtimin e Manchester United.

