Aeroporti i Vlorës hapet drejt Evropës, “Chair Airline” nis fluturimet Vlorë–Zyrih

by informim peje

Kompania ajrore “Chair Airline” bëhet linja e parë që konfirmon nisjen e operimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.

Sipas njoftimit zyrtar, fluturimet direkte Vlorë-Zyrih do të nisin më 26 qershor 2026 dhe do të operohen dy herë në javë deri më 23 tetor 2026.

banner

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të plotë të aeroportit dhe forcimit të lidhjeve ajrore ndërkombëtare, veçanërisht me Zvicrën, një treg i rëndësishëm për turizmin dhe vizitat familjare (VFR).

Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Valon Lluka u shpreh se ky bashkëpunim shënon një etapë të re për aeroportin dhe për zhvillimin e rajonit.

Ai theksoi se aeroporti është i angazhuar të ofrojë shërbime cilësore dhe një eksperiencë bashkëkohore udhëtimi, ndërsa kjo linjë e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Biletat për fluturimet Vlorë-Zyrih janë tashmë të hapura për rezervim, ndërsa aeroporti përgatitet të mirëpresë pasagjerët e parë dhe të hapë një kapitull të ri në zhvillimin e transportit ajror në jug të vendit.

Më 8 maj 2025 u realizua fluturimi i parë certifikues në këtë aeroport.

Ndërkohë, punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës vijojnë, me fokus krijimin e një infrastrukture moderne, të qëndrueshme dhe sipas standardeve ndërkombëtare, që do të shërbejë si një portë e re hyrëse për Rivierën shqiptare.

Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3,2 km dhe me një investim prej 104 milionë eurosh, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës dhe veçanërisht turizmit në vend.

Aeroporti ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, Airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport.

Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi, 3,2 km, dhe do të garantojë kapacitet më të larta të lëvizjes së avionëve në zonën e manovrimit.

Aeroporti i Vlorës (VIA), i vendosur vetëm 10 km në veri të qytetit të Vlorës, do t’u japë njerëzve akses në të gjithë bregdetin jugor dhe Rivierën shqiptare. Ky aeroport do të jetë një mundësi më shumë për turistët e huaj, për të aksesuar bregdetin e mrekullueshëm të jugut, por edhe një urë lidhëse e re e Shqipërisë me vendet e tjera.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy