Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) ka publikuar një artikull që zbulon se Shteti Zviceran ka organizuar për vite me radhë takime joformale midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat nuk janë bërë publike më parë. Në këto bisedime kanë marrë pjesë zv.kryeministri i Kosovës dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, si dhe kryediplomati serb Marko Gjuriq.
Sipas raportimeve të NZZ, për shumë vite nuk dihej publikisht se këto takime rregullisht mblidhnin zyrtarë nga të dyja palët, edhe pse disa raportime të gazetarëve zviceranë, si ato të NZZ në vitin 2022 dhe “Blick” në nëntor 2025, kanë përmendur takime politikanësh në qytetin Solothurn në Zvicër.
Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka konfirmuar organizimin e këtyre takimeve. Roland Salvisberg nga MPJ e Zvicrës ka treguar se takimet zhvillohen dy deri tre herë në vit dhe kanë për qëllim lehtësimin e dialogut dhe shkëmbimeve midis figurave kryesore politike nga të gjitha partitë serbe dhe kosovare. Ai shtoi se çdo palë vendos vetë se kë dërgon përfaqësues në bisedime.
Pjesëmarrës të tjerë në këto takime kanë përfshirë edhe emisarët ndërkombëtarë, përfshirë Peter Sorensen, emisarin për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas MPJ të Zvicrës, këto janë takime plotësuese që mbështesin procesin kryesor të dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian, duke krijuar një mundësi shtesë për koordinim dhe diskutime të hapura mes dy palëve.
Ky zbulim i gazetës NZZ hedh dritë mbi përpjekjet e fshehta diplomatike që janë zhvilluar për vite me radhë për të mbajtur komunikimin midis Kosovës dhe Serbisë, jashtë vëmendjes publike dhe mediave.

