Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje të thellë për institucionet dhe qytetarët që po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve që kanë prekur vendin gjatë ditës së sotme.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore.
Ajo theksoi se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur në bashkëpunim me organet e rendit, ndërsa falenderoi edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për të ofruar mbështetje të menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja.
“Situata kërkon kujdes maksimal”, ka theksuar Osmani, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente.
Sipas presidentes, bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate dhe për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

