Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të dërguara përmes postës.
Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë verifikuar dhe aprovuar rreth 16 mijë pako me fletëvotime, të cilat aktualisht janë duke iu nënshtruar procesit të numërimit. KQZ thekson se paraprakisht janë aprovuar gjithsej 16 mijë pako.
Institucioni zgjedhor sqaron se në fazat e ardhshme të numërimit do të përfshihen fletëvotimet e tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë vendit, por vetëm ato që tashmë janë sjellë në Kosovë. Më 2 janar, nga nëntë kuti postare në qytete si Praga, Londra, Parisi, Zagrebi, Stokholmi, Stambolli, Neë Yorku, Kanbera, Kopenhaga, janë tërhequr edhe 8 mijë e 180 pako të tjera. Ndërkaq, më 5 janar, nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljubljanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11 mijë e 867 pako me fletëvotime.
KQZ bën të ditur se shumica e këtyre pakove tashmë kanë arritur në Kosovë dhe kanë kaluar nëpër verifikim dhe vlerësim. “Pjesa më e madhe e tyre janë aprovuar dhe janë duke u numëruar”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Komisioni shton se ende nuk janë sjellë në Kosovë 3 mijë e 185 pako me fletëvotime, të tërhequra më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në disa vende. Bëhet fjalë për 1 mijë e 962 pako nga Parisi, 633 nga Berlini, 61 nga Haga, 125 nga Podgorica dhe 404 pako nga Otava.
KQZ thekson se këto fletëvotime do të përfshihen në proces sapo të mbërrijnë në Kosovë, duke siguruar se procedurat për pranimin dhe numërimin e tyre do të zhvillohen sipas rregullave dhe afateve ligjore.

