Vaksinat kundër gripit, rotavirusit, hepatitit A, hepatitit B, disa formave të meningjitit dhe virusit RSV nuk do të jenë më pjesë e kalendarit të vaksinimit për fëmijët në SHBA. Ato do të rekomandohen vetëm për grupe të caktuara me rrezik të lartë ose kur mjekët sugjerojnë përdorimin e tyre përmes asaj që quhet “vendimmarrje e përbashkët” me prindërit.
Ky vendim i marrë pas kërkesës së presidentit Donald Trump për rishikimin e kalendarit të vaksinimit dhe krahasimin e tij me vende të tjera të zhvilluara, ka ngjallur reagimin e ekspertëve mjekësor, të cilët shprehen kundër tij, pasi krijon konfuzion për prindërit dhe mund të çojë në rritje të sëmundjeve të parandalueshme.
Ndryshimet vijnë në një kohë kur normat e vaksinimit në SHBA kanë rënë dhe përqindja e fëmijëve me përjashtime nga vaksinat ka arritur nivelin më të lartë ndonjëherë, sipas të dhënave qeveritare. Ndërkohë, po rriten rastet e sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksina, si fruthi dhe kolla e mirë.
Vendimi argumentohet si një mënyrë për të rritur besimin e publikut, duke rekomanduar vetëm vaksinat më të rëndësishme për fëmijët, duke marrë si shembull Danimarkën, e cila rekomandon 10 vaksina për fëmijët.
Por mjekët pediatër hodhën poshtë këtë krahasim, duke e quajtur të papërshtatshëm dhe të rrezikshëm, pasi vendet bazojnë me kujdes rekomandimet për vaksinat në varësi të sëmundjeve në popullatat e tyre dhe të sistemeve shëndetësore.
Sipas një rishikimi të fundit nga një grup që punon për mbrojtjen e përdorimit të vaksinave, shumica e vendeve me të ardhura të larta rekomandojnë vaksina kundër 12 deri në 15 patogjenëve seriozë.
Grupet kryesore mjekësore qëndrojnë te rekomandimet e mëparshme për vaksinat, duke theksuar se nuk ka shkencë të re që të justifikojë këtë ndryshim, dhe paralajmërojnë se këshillat kontradiktore mund t’i lënë më shumë fëmijë të pambrojtur ndaj sëmundjeve të parandalueshme apo edhe vdekjes.

