Komuna të shumta të Kosovës janë përballur dje me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës të martën.
Për pasojë shumë shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe është shtyrë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkolla.
Në fshatin Fortesë të Rahovecit, e cila është njëra prej komunave më të goditura, ujërat kanë përmbytur katin e parë të shtëpisë së Fatmir Popajt, duke i dëmtuar pothuajse të gjitha pajisjet shtëpiake.
“Vërshimet kanë filluar në mëngjes. Pra, atëherë ka hyrë uji brenda. Askush nuk ka qenë as për të na parë,. Kemi filluar të pastrojmë dhe kemi drojë se do të na marrë prapë (uji). Prej mëngjesit, deri nga ora 14:00 veç jemi duke pastruar”, ka treguar ai.
Me pasoja të vërshimeve është përballur edhe mërgimtari nga Austria, Burim Popaj, i cili ka kritikuar autoritet lokale për situatën.

