Analisti Astrit Gashi ka kritikuar ashpër Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vlerësuar se qëndrimi i saj pas humbjes zgjedhore përfaqëson atë që ai e quan “arrogancë të humbësit”.
Duke folur në Debat Plus në RTV Dukagjini, Gashi tha se LDK po sillet sikur nuk ka bërë asnjë gabim, ndërsa përgjegjësinë po e shpërndan te të tjerët.
“Pse e quaj arrogancë të humbësit? Sepse e dëgjova gjithë fjalimin e pjesës së parë dhe e pashë që e gjithë bota i kanë fajet, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës s’ka bërë asnjë gabim. E ka pasur listën më të mirë, i ka pasur të gjitha të mirat, por ka humbur. Kështu po thonë. Kjo është arrogancë e humbësit dhe s’ka gjë më të keqe se me pas arrogancë të humbësit”, ka thënë Gashi.
Ai shtoi se kishte pritur që partitë opozitare, përfshirë LDK-në, të ktheheshin me ide dhe platforma pas humbjes, e jo me ankesa dhe justifikime.
“Unë kam shpresuar që nga vajtimi partitë opozitare kanë me u kthye me platformë, me ide, por jo me një arrogancë të humbësit”, theksoi ai.
Gashi vijoi kritikat duke thënë se LDK po mohon përgjegjësinë e vet dhe po ia atribuon fajin rrethanave të jashtme, përfshirë edhe detaje si data e mbajtjes së zgjedhjeve.
“Dalin e thonë këtu ‘kurgjo s’ka ndodhë’, të gjithë kanë faj, bile edhe data kur u mbajtën zgjedhjet, veç ne s’kemi faj. E dini çka thonë? Fajin tonë do ta qesim me një raport dhe do t’ua dërgojmë organeve të Kuvendit”, deklaroi Gashi.
Në fund, ai u shpreh se një qasje e tillë është e paprecedentë në përvojën e tij politike.
“Më vjen keq, zonja Sadriu, unë nuk kam dëgjuar një arrogancë të tillë nga një parti që humb zgjedhjet në gati gjithë karrierën time politike”, përfundoi Gashi

