Një zjarr i madh ka përfshirë fabrikën “Comodita” në qytetin e Gjakovës.
Nga fotografitë dhe videot e publikuara në rrjetet sociale, shihet se flakët kanë përfshirë të gjithë objektin, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar qiellin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Gjakovë, Shermet Elezaj, ka bërë të ditur se rreth orës 16:40 Policia është njoftuar për zjarrin në një fabrikë në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë.
Sipas tij, njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.
“Zjarri është i përmasave të mëdha dhe ekipet emergjente vazhdojnë punën për ta vënë situatën nën kontroll. Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për pasoja në njerëz, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka deklaruar Elezaj për Gazetën Online Reporteri.net.

