Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë ndaj ish-drejtuesve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke përfshirë dhjetëra persona të dyshuar në mbarë vendin.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka konfirmuar se operacioni është në përmasa të gjera dhe se shtrirja e tij nuk kufizohet vetëm në një rajon të caktuar të Kosovës. Sipas tij, aksioni po zhvillohet në disa lokacione njëkohësisht.
Në një prononcim për gazetën Insajderi, Kryeziu ka bërë të ditur se numri i personave që janë në fokus të hetimeve është i lartë.
“Aksioni është i gjerë dhe përfshinë të dyshuar në të gjithë Kosovën. Target kemi më shumë se 40 persona”, ka deklaruar kryeprokurori Kryeziu.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me veprat penale për të cilat dyshohen personat e përfshirë, ndërsa është paralajmëruar se më shumë informacione do të bëhen publike pas përfundimit të aksionit dhe procedurave hetimore.
Prokuroria ka theksuar se veprimet po zhvillohen në bashkëpunim me organet e rendit dhe se qëllimi i aksionit është zbardhja e plotë e rasteve të dyshuara dhe vendosja e përgjegjësisë ligjore për secilin të përfshirë.

