Këto janë gjetjet e auditorit të BKS që çuan në pranga ish-menaxhmentin dhe persona të tjerë

by Nexhat

Raporti i Njësisë së Auditimit të Brendshëm për trajtimin dhe pagesën e dëmeve në periudhën janar 2019 deri qershor 2024, kishte evidentuar një numër shkelje.

Bazuar në të dhënat e pagesave të dëmeve për periudhën janar 2019- qershor 2024, rezulton se në vitin 2020 ka pasur një rënie të ndjeshme në pagesat e dëmeve me 5.14 milionë euro (më pak për 1.89 milionë euro krahasuar me 2019), dhe numri i rasteve ra në 2 mijë e 537, raporton “Betimi për Drejtësi“.

banner

Sipas raportit, viti 2021 shënoi një rritje të madhe, me pagesat që arritën në 10.74 milionë euro, gati dyfishimi krahasuar me 2020. Numri i rasteve gjithashtu u rrit ndjeshëm në 4 mijë e 561 raste.

Ndërkaq, thuhet se viti 2023 shënoi një ulje të ndjeshme, me vetëm 5.13 milionë euro në pagesa dhe 2 mijë e 973 raste, duke shënuar një rënie me mbi 50% krahasuar me 2021 dhe 2022.

“Fondi i Kompensimit përbën shumën më të madhe të paguar çdo vit. Pagesat e këtij fondi ishin më të larta në 2021 (5.70 milionë €) dhe 2022 (5.39 milionë €), ndërsa në 2023 ranë në 2.73 milionë € dhe në gjysmën e parë të 2024 janë 2.29 milionë €”, thuhet në raport.

Më tej, thuhet se kompensimet për sigurimin kufitar kanë pasur ndryshime të ndjeshme ndër vite.

“Më e larta ishte në 2021 me 4.1 milionë €, ndërsa në 2023 ra në 1.85 milionë € dhe në 2024 deri në qershor është 1.2 milionë €”, theksohet në raport.

Raporti ka ndarë në disa pika çështjet kryesore të auditimit.

Çështja 1. Shpenzime të Pajustifikuara në Pagesat e Dëmeve

Në raport thuhet se gjatë auditimit të brendshëm u konstatua se nga llogaria bankare e dedikuar për pagesat e dëmeve nga Sigurimi Kufitar dhe MOU në Bankën Ekonomike të Kosovës, ishin realizuar: Në vitin 2022- 59 pagesa me një vlerë totale prej 354,580€, kurse në vitin 2023- 107 pagesa me një vlerë totale prej 688,704€.

“Këto pagesa nuk ishin të regjistruara në databazën e dëmeve, duke krijuar një mospërputhje të konsiderueshme midis shpenzimeve të raportuara nga llogaria bankare dhe dokumentacionit të trajtimit të dëmeve”, thuhet aty.

Gjithnjë sipas raportit, Departamenti i Financave është kontaktuar për të siguruar dëshmitë e këtyre pagesave, por asnjë dokumentacion mbështetës nuk është vënë në dispozicion për pagesat e identifikuara.

“Nuk ka të dhëna për dëmet përkatëse që justifikojnë këto pagesa, si numri i lëndës së dëmit, raporti policor i aksidentit, vendimi i komisionit të vlerësimit të dëmeve, raportet e ekspertizës apo dokumentet e tjera mbështetëse. Për më tepër, përfituesit e këtyre pagesave përfshijnë 443 individë dhe 14 subjekt juridik, por nuk ka të dhëna të qarta mbi bazueshmërinë ligjore dhe administrative të këtyre transaksioneve”, thuhet në këtë raport.

Andaj, aty thuhet se nuk mund të përcaktohet nëse këto fonde janë përdorur për kompensim të dëmeve reale apo për qëllime të tjera, duke ngritur shqetësime mbi menaxhimin e fondeve të dëmeve dhe transparencën e procesit të kompensimit.

Raporti gjeti se mospërputhja midis pagesave bankare dhe regjistrimeve në databazën e dëmeve ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin e fondeve të dëmeve dhe transparencën e procesit të kompensimit.

“Mungesa e dokumentacionit mbështetës (raportet policore, vendimet e komisionit, raportet e ekspertizës etj.) bllokon verifikimin e përdorimit të fondeve, duke ngritur dyshime mbi përdorimin e tyre për dëme reale apo për qëllime të tjera. Ky lëshim mund të ekspozojë institucionin ndaj: rrezikut të keqmenaxhimit financiar, mospërputhjeve me rregulloret dhe standardet e kontabilitetit, rrezikut të abuzimit me fondet, ndëshkimeve nga autoriteti rregullator”, citohet në raport.

Në raport thuhet se shkeljet e mundshme ligjore janë nga: Ligji nr. 05/L-045 për Sigurimet, Ligji nr. 03/L-196 për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit dhe Ligji nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

“Ky rrezik, i kategorizuar si “Lartë”, mund të ekspozojë BKS-në ndaj ndëshkimeve nga autoritetet rregullatore dhe kërkon masa të menjëhershme korrigjuese për të siguruar menaxhimin e duhur të fondeve dhe përmirësimin e transparencës në procesin e kompensimit të dëmeve”, u tha nga Auditori.

Auditori rekomandoi që DLAT dhe Departamenti i Financave të kryejnë një analizë të hollësishme të pagesave të kryera nga kjo llogari bankare dhe të verifikojnë bazueshmërinë e çdo transaksioni. Po ashtu, të implementohet një sistem i fuqishëm kontrolli që garanton se asnjë pagesë nuk kryhet pa dokumentacion të plotë dhe të verifikueshëm.

“Për më tepër, rekomandohet që: Të zbatohet një politikë e rreptë verifikimi, ku çdo pagesë për kompensim dëmi të ketë mbështetje të qartë dokumentare dhe të jetë e regjistruar në databazën e dëmeve; Të hartohet një raport i detajuar me të gjitha pagesat e kryera dhe të krahasohet me regjistrimet në databazën e dëmeve për të siguruar pajtueshmërinë dhe saktësinë e informacionit”, thuhet në raport.

Po ashtu, raporti rekomandoi që Asambleja e Përgjithëshme të shqyrtojë këtë gjetje dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për sqarimin dhe adresimin e çështjes.

“Nëse nga ky shqyrtim dalin shkelje ligjore ose keqmenaxhim të fondeve, çështja duhet të referohet për shqyrtim të mëtejshëm tek organet kompetente, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në raportin e Auditorit.

Çështja 2. Kompensimi i Dyfishtë i Dëmit Material për të Njëjtin Aksident

Gjithashtu, në raport u tha se BKS ka realizuar një kompensim të dyfishtë për të njëjtin aksident automobilistik. Rreziku u konstatua i lartë.

“Më konkretisht, kompania ka bërë një pagesë të dëmshpërblimit material direkt ndaj palës së dëmtuar dhe një pagesë të dytë ndaj një kompanie tjetër të sigurimeve jashtë vendit, e cila kishte mbuluar dëmin përmes sigurimit auto kasko të së njëjtës veturë. Kompenzimi i parë i dëmit material ka ndodhur me datën 29.07.2016 tek pala e dëmtuar me vlerë 15,809€, ndërsa kompenzimi i dytë ka ndodhur në emër të regresit nga baza e sigurimit kufitar tek kompania e sigurimeve me seli në Zvicër me vlerën e kompenzimit të dëmit 35,954€ me datën 16.07.2020”, thuhet në raport.

Kompensimi në emër të regresit, thuhet se është urdhëruar sipas vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 20 maj 2020.

“Ky veprim përbën një shkelje të rregullave të menaxhimit të dëmeve dhe të parimeve të sigurimit, pasi BKS nuk duhet të kryejë dyfish kompensim për të njëjtin dëm, për të cilën veq se pala e dëmtuar ishte kompenzuar me datën 05.03.2016”, thuhet në raport.

Andaj, u tha se kompensimi i dyfishtë për të njëjtin aksident paraqet një humbje financiare për BKS dhe krijon precedent për raste të ngjashme në të ardhmen, duke rritur rrezikun e abuzimeve dhe dobësuar kontrollin e brendshëm.

Kjo u tha se mund të sjellë masa disiplinore ose sanksione nga autoritetet rregullatore, si dhe të dëmtojë reputacionin e BKS-së.

Çështja 3. Dokumentacion i Mangët në Procesin e Kompensimit të Dëmit për Shkak të Mungesës së Raportit Origjinal të Policisë

Auditori në raport thekson se gjatë auditimit të brendshëm u konstatua se në 145 raste, kompensimi i dëmeve është kryer me dokumentacion të mangët, konkretisht pa raportin origjinal të aksidentit nga policia.

Kurse, në disa raste, në dosjet e dëmeve ishte e pranishme vetëm një kopje e raportit të aksidentit, pa vulën dhe nënshkrimin zyrtar të autoriteteve, duke e bërë dokumentin të paverifikueshëm dhe të pasigurt për procesin e kompensimit.

“Mungesa e raportit origjinal të policisë rrit rrezikun e mashtrimeve, duke e bërë të pamundur verifikimin e saktë të rrethanave të aksidentit. Po ashtu, kjo mangësi mund të çojë në kompensime të padrejta ose të pajustifikuara, duke shkaktuar humbje financiare për kompaninë e sigurimeve. Për më tepër, në rast të auditimeve nga autoritetet rregullatore apo në rast të kontesteve ligjore, mungesa e dokumentacionit të plotë mund të sjellë penalitete ose humbje në procese gjyqësore”, thuhet në raport.

Çështja 4. Mangësi Gjatë Procesit të Vlerësimeve dhe Kompensimit të Dëmeve

Në tre raste, Auditori identifikoi disa mangësi në procesin e vlerësimit të kompensimit të dëmeve. Në njërin rast, thuhet se BKS kishte ndryshuar vlerësimin e përgjegjësisë për dëmin nga 50% në 100%, pa kërkuar ekspertizë shtesë dhe pa pasur një dokumentacion të plotë dhe të qartë mbi këtë ndryshim.

“Fillimisht, vendimi i shkallës së parë me datën 21.02.2018 dhe vendimi i shkallës të dytë me datën 08.03.2018 e ndante përgjegjësinë në 50% për secilën pale. Por, bazuar në raportin e policisë dhe raportin e hetuesit të hetimeve të aksidentit, përgjegjësia i takonte 100% shkaktarit të aksidentit (Automjeti A). Megjithatë, gjatë procedurës gjyqësore, u krye një ekspertizë e komunikacionit e cila konstatoi se përgjegjësia ishte 100% (Automjeti A), pra BKS-së”, u tha në raport.

Përkundër kësaj, Auditori thekson se BKS nuk ka kërkuar një ekspertizë të dytë për të vërtetuar vlerësimin e ri të përgjegjësisë, por ka pranuar përgjegjësinë 100% përmes marrëveshjes gjyqësore.

Gjithashtu, në raport thuhet se u konstatua se ekspertiza e dytë, e përmendur në marrëveshjen e gjykatës, fizikisht nuk ekziston në shkresat e lëndës, duke krijuar pasiguri mbi bazën ligjore dhe teknike të këtij vendimi. Vlera e kompensimit të dëmit material ishte 6 mijë e 80 euro në vitin 2021.

“Sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, zvogëlimi i aktivitetit jetësor ishte vlerësuar në 70%. Në ankesën e ushtruar nga BKS kundër këtij aktgjykimi, nuk është kontestuar ky vlerësim, dhe si rezultat, gjykata e apelit e ka lënë në fuqi këtë përqindje. Megjithatë, gjatë shqyrtimit kryesor të datës 15.03.2017, ekspertët mjekësorë kanë konstatuar se invaliditeti real nuk është 70%, por 45%. Përkundër kësaj, BKS ka pranuar dhe ka zbatuar vlerësimin e gabuar prej 70%, duke u bazuar vetëm në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, pa kërkuar një ekspertizë shtesë për të konfirmuar saktësinë e këtij vlerësimi. Gjithashtu, në raportin e ekspertizës mjekësore (faqja 7) është konstatuar se zvogëlimi i aktivitetit jetësor është 70%, bazuar në vlerësimin e grupit të ekspertëve të datës 30.09.2016”, thuhet aty.

Megjithatë, sipas raportit, ky grup ekspertësh në realitet ka konstatuar një invaliditet prej vetëm 45%, por për shkak të një gabimi në vlerësim, është raportuar si 70%.

BKS thuhet se nuk ka marrë masa për të kërkuar një rishikim ose një ekspertizë të pavarur për të korrigjuar këtë mospërputhje.

“U konstatua një mospërputhje në vlerën e kompensimit të dëmit ndërmjet vendimit të Komisionit të Shkallës së Parë dhe ankesës së palës së dëmtuar. Më konkretisht, vendimi i Komisionit të Shkallës së Parë i datës 09.07.2021 kishte vlerësuar kompensimin e dëmit në shumën 15,000 €, ndërsa pala e dëmtuar në ankesën e saj të datës 16.07.2021 kishte deklaruar se vendimi ishte në vlerën 12,054 € dhe e konsideronte atë të papranueshëm. Kjo krijon një dallim prej 2,946 € mes vlerës së cekur në ankesë dhe vendimit zyrtar të Komisionit të Shkallës së Parë. Përfundimisht, pala e dëmtuar është kompensuar me shumën 15,000 € sipas marrëveshjes jashtëgjyqësore”, thotë raporti.

Gjatë auditimit të brendshëm, thuhet se u konstatuan një rast me mangësi ku menaxhimi i lëndës së kompensimit të dëmit është karakterizuar nga mungesa e qartësisë, ndryshime të shpeshta në përfaqësimin ligjor dhe dokumentacion të paplotë.

“Në rastin e parë, Komisioni i Shkallës së Parë, bazuar në ekspertizën e komunikacionit, ndau përgjegjësinë në 80% për BKS dhe 20% për palën e dëmtuar, duke ofruar shumën prej 43,316 € si kompensim më 14.03.2018. Pala e dëmtuar ushtroi ankesë, pas së cilës Komisioni i Shkallës së Dytë e miratoi si të bazuar dhe e rriti shumën e kompensimit në 49,010 € më 11.05.2018. Gjatë procedurës gjyqësore, përfaqësuesit e BKS nuk e kontestuan aspak ndarjen e përgjegjësisë prej 80% – 20% të përcaktuar në ekspertizën e komunikacionit”, thuhet më tej.

Kurse, thuhet se pas pranimit të ekspertizës së makinerisë, e cila konstatoi se dëmi i përgjithshëm ishte 71 mijë e 383 euro dhe fitimi i humbur 2 mijë e 400 euro e 20 centë, përfaqësuesit e BKS nuk kërkuan ekspertizë shtesë dhe vazhduan të ofronin shuma më të larta në çdo seancë, duke arritur deri në 60 mijë euro më 9 korrik 2019.

“Për më tepër, në këtë lëndë janë ndërruar pesë përfaqësues ligjorë të BKS, duke krijuar paqëndrueshmëri në përfaqësimin e çështjes. Gjithashtu, aktgjykimi i shkallës së parë dhe të dytë nuk gjendet duke krijuar mangësi të rëndësishme në dokumentacionin e lëndës. Vlera përfundimtare e kompenzimit të dëmit ishte 90,172.08€ në vitin 2021”, thuhet më tej.

Auditori thotë se mangësitë në procesin e vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve krijojnë rrezik të lartë për humbje financiare dhe keqmenaxhim të fondeve të BKS-së.

“Ndryshimet në përgjegjësinë e aksidentit pa ekspertizë shtesë dhe pa dokumentacion të plotë rrezikojnë vendimmarrje të pasaktë dhe kompensime të pajustifikuara. Mospërputhjet në vlerësimin e invaliditetit dhe në ndarjen e përgjegjësisë mund të çojnë në trajtim të pabarabartë të palëve dhe në pagesa më të larta se ato të bazuara në prova të sakta. Gjithashtu, mungesa e një dokumentacioni të plotë dhe ndryshimet e shpeshta në përfaqësimin ligjor gjatë procedurave gjyqësore e ekspozojnë institucionin ndaj rrezikut të gabimeve në mbrojtjen ligjore dhe ndaj shpenzimeve të panevojshme”, vlerësoi Auditori.

Çështja 5. Mungesa e Dokumentacionit të Nevojshëm në Procesin e Kompensimit për Dhimbje Shpirtërore

Sipas Auditorit, u konstatua se vendimi i Komisionit të Shkallës së Parë i datës 15 korrik 2021 ishte dakorduar lidhur me kompensimin për dhimbje shpirtërore për dy anëtarë të familjes në shumën totale prej 11 mijë euro, ndërsa marrëveshja jashtëgjyqësore e datës 1 qershor 2022 ishte bërë me një shumë më të lartë, 12 mijë euro sipas autorizimit me nënshkrim nga Drejtori i Dëmeve.

“Gjatë shqyrtimit të lëndës, u vërejt se mungon dokumentacioni i nevojshëm për të vërtetuar bazueshmërinë e kompensimit, konkretisht: Raporti nga spitali për të dëshmuar pasojat fizike dhe emocionale të ngjarjes; Raporti i autopsisë nga mjeku ligjor për të konfirmuar shkakun e vdekjes; Certifikata e vdekjes, si dëshmi bazë e ngjarjes për të cilën është kërkuar kompensimi”, thuhet në raport.

Andaj, thuhet se mungesa e dokumentacionit thelbësor cenon ligjshmërinë dhe transparencën e procesit të kompensimit, duke rritur rrezikun e pagesave të paarsyeshme ose të pabazuara. Në mungesë të dokumenteve të rëndësishme si raporti i spitalit, raporti i autopsisë dhe certifikata e vdekjes, BKS mund të përballet me kontestime ligjore nga palët e përfshira dhe me penalitete nga autoritetet rregullatore për shkelje të procedurave.

Çështja 6. Mungesa e Inspektimit Fizik të Automjetit dhe Procesverbali i Pa Nënshkruar nga Pala e Dëmtuar

Gjatë auditimit të brendshëm, Auditori konstatoi  se në 9 raste të dëmshpërblimit të automjeteve të siguruara, vlerësuesit e dëmeve në BKS nuk kanë kryer inspektimin fizik të automjetit, por kanë vlerësuar dëmet vetëm në bazë të fotove të dorëzuara nga pala e dëmtuar.

Gjithashtu, u vërejt se në 187 raste, procesverbali mbi dëmtimin e automjetit nuk ishte i nënshkruar nga pala e dëmtuar, duke e bërë procesin e dëmshpërblimit të paverifikueshëm dhe potencialisht të cenueshëm nga gabimet.

“Mungesa e inspektimit fizik të automjetit rrit rrezikun e dëmshpërblimeve të pasakta ose të pajustifikuara, duke krijuar mundësi për mashtrime apo ekzagjerime të dëmit. Po ashtu, procesverbali i pa nënshkruar nga pala e dëmtuar dëmton integritetin e dokumentacionit dhe mund të çojë në kontestime ligjore ose humbje financiare për BKS-në”, thuhet aty.

Çështja 7. Vonesa në Trajtimin e Kërkesave për Dëmshpërblim Përtej Afatit Ligjor

Sipas Auditorit, në 168 raste trajtimi i kërkesave për dëmshpërblim material është kryer me vonesë, duke tejkaluar afatin ligjor prej 15 ditësh nga data e parashtrimit të kërkesës nga pala e dëmtuar.

Këto vonesa, thuhet se janë vërejtur si pasojë e mungesës së një procesi efikas të shqyrtimit të dëmeve, ngarkesës së lartë të stafit apo mungesës së dokumentacionit të plotë në kohën e dorëzimit të kërkesës.

“Vonesa në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim mund të rezultojë në pakënaqësi të palëve dhe tejkalimi i afatit ligjor rrit rrezikun e padive ligjore nga palët e dëmtuara dhe mund të sjellë penalitete nga autoritetet rregullatore. Për më tepër, vonesat mund të ndikojnë negativisht në fluksin e pagesave dhe menaxhimin e përgjithshëm të dëmeve”, thotë Auditori.

Çështja 8. Urdhri i Ekzekutimit për Pagesën e Dëmit Material Para Lidhjes së Marrëveshjes Jashtëgjyqësore

Gjatë auditimit të brendshëm, sipas Auditorit, u konstatua se në një rast me vlerë 11 mijë e 63 euro gjatë vitit 2021, urdhri i ekzekutimit për pagesën e dëmshpërblimit material është lëshuar tre ditë përpara se të finalizohej marrëveshja jashtëgjyqësore midis palës së dëmtuar dhe BKS-së.

Ky veprim, sipas raportit, tregon një mospërputhje në procesin e vendimmarrjes dhe ekzekutimit të pagesave, duke anashkaluar procedurat e rregullta për arritjen e marrëveshjes ndërmjet palëve të përfshira.

“Ekzekutimi i pagesës përpara formalizimit të marrëveshjes jashtëgjyqësore mund të rezultojë në humbje financiare për BKS, pasi pala e dëmtuar mund të kërkojë përfitime të tjera apo të kontestojë pagesën e kryer. Për më tepër, ky lëshim procedural mund të krijojë rrezik për abuzime dhe precedent për raste të tjera të ngjashme, duke dëmtuar transparencën dhe kontrollin mbi pagesat e dëmeve. Gjithashtu, mungesa e një marrëveshjeje të formalizuar mund të rezultojë në pasoja ligjore, duke ekspozuar BKS-në ndaj padive apo detyrimeve shtesë”, thuhet në raport.

Çështja 9. Pagesa e Dëmit Material pa Autorizim nga Pronari i Automjetit

Gjatë auditimit të brendshëm, në raport thuhet se u konstatua se në vitin 2021 pagesa e dëmit material në vlerë prej 12,723€ është bërë drejtpërdrejt kompanisë servisuese të automjetit, bazuar në një autorizim të dhënë tek noteri.

Megjithatë, aty u tha se u vërejt se autorizimi është lëshuar nga vozitësi i automjetit që kishte qenë pjesë e aksidentit dhe jo nga pronari ligjor i tij, duke krijuar pasiguri në bazën ligjore të pagesës dhe të drejtën e servisuesit për të pranuar shumën e kompensimit.

“Pagesa e dëmit pa një autorizim të vlefshëm nga pronari i ligjshëm i automjetit rrit rrezikun e kontestimeve ligjore, pasi pronari mund të mos ketë dhënë pëlqimin për këtë pagesë. Një veprim i tillë mund të ekspozojë BKS-në ndaj padive nga pronari, si dhe mund të krijojë precedent për shpërndarje të gabuar të fondeve të kompensimit në raste të tjera. Për më tepër, nëse pronari i automjetit refuzon njohjen e pagesës, mund të ketë rrezik të dyfishtë të kompensimit për të njëjtin dëm”, thotë raporti.

Çështja 10. Mungesa e Vlerësimit të Brendshëm Mjekësor për Dëmet Jo-Materiale

Gjatë auditimit të brendshëm, gjithashtu u konstatua se në lëndën për trajtimin e dëmit jo-material nuk ka prova që pala e lënduar është ekzaminuar nga një mjek i brendshëm i BKS.

Po ashtu, theksohet se nuk ka asnjë vlerësim të brendshëm mjekësor për të mbështetur apo kundërshtuar nivelin e dëmtimit të konstatuar nga ekspertiza  mjekësore e angazhuar nga gjykata.

“Në bazë të kësaj ekspertize, është konstatuar se pala e lënduar ka një shkallë invaliditeti prej 58%. Duke qenë se nuk është kryer një vlerësim i pavarur nga mjeku i brendshëm i BKS, nuk mund të përcaktohet nëse është dashur të propozohet një ekspertizë mjekësore alternative për të verifikuar ose sfiduar gjetjet e ekspertizës së gjykatës. Kjo tregon mangësi në procesin e vlerësimit të dëmeve dhe mbrojtjes së interesave të BKS. Vlera e kompenzimit të dëmit me numër C.NR.381/19 ishte 51,518€ në vitin 2022”, thuhet në raport.

Andaj, thuhet se mungesa e një vlerësimi të brendshëm mjekësor mund të rezultojë në kompensime të pasakta ose të padrejta, duke shkaktuar humbje financiare për BKS. Po ashtu, kjo dobësi rrit rrezikun e marrjes së vendimeve të njëanshme nga ana e gjykatës, pasi BKS nuk ka ofruar një vlerësim alternativ të shkallës së invaliditetit. Për më tepër, mungesa e një ekspertize të brendshme mund të krijojë hapësirë për kontestime dhe precedentë të rrezikshëm në trajtimin e rasteve të ngjashme.

Çështja 11. Mungesa e Detajeve në Faturën e Servisimit të Automjetit

Sipas Auditorit, fatura e paraqitur nga kompania për servisim të automjetit, në vlerën prej 12 mijë e 105 euro, nuk përmban detaje mbi pjesët e servisuar dhe shërbimet e kryera. Dokumentacioni i ofruar, thuhet se nuk tregon saktësisht numrin dhe llojin e pjesëve të ndërruara apo punën e kryer, duke krijuar paqartësi mbi bazueshmërinë e shumës së faturuar dhe të kompensuar nga BKS. Vlera e lartcekur ishte kompenzuar në vitin 2022.

“Mungesa e detajeve në faturën e servisimit shton rrezikun e keqpërdorimit të fondeve dhe kompensimeve të pajustifikuara, pasi BKS nuk ka mundësi të verifikojë nëse shuma e kompensuar është në përputhje me dëmin e vërtetë të automjetit. Po ashtu, kjo situatë mund të krijojë hapësirë për abuzime dhe mashtrime financiare, duke rrezikuar humbje për institucionin dhe precedentë negativë për trajtimin e rasteve të tjera”, thuhet më tej.

Çështja 12. Mungesa e Datës në Kërkesat për Kompensim të Dëmeve dhe Mospërputhje me Rregulloren

Në 10 raste, kërkesat për paraqitjen e dëmit nuk përmbajnë datën e kërkesës, gjë që Auditori vlerëson se përbën shkelje të kërkesave të përcaktuara në Rregulloren mbi Procedurat e Trajtimit të Kërkesave për Kompensimin e Dëmeve nga Sigurimi i Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Kjo situatë, Auditori thotë se pamundëson evidentimin e saktë të kërkesave, duke ndikuar në përmbushjen e nenit 6 (Pranimi dhe evidentimi i kërkesës për kompensim të dëmit, pika 1d) dhe nenit 7 (Trajtimi i kërkesave për kompensim, pika 1a).

“Mungesa e datës në kërkesat për kompensim të dëmeve krijon paqartësi në përcaktimin e afateve ligjore të trajtimit të kërkesës, duke rritur rrezikun e tejkalimit të afateve për shqyrtimin dhe ekzekutimin e pagesave. Po ashtu, kjo mund të dëmtojë transparencën dhe saktësinë e procesit të dëmshpërblimeve, duke sjellë potencial për kontestime ligjore dhe ankesat e palëve të dëmtuara. Për më tepër, mungesa e dokumentacionit të plotë bie ndesh me kërkesat e rregullores, duke rritur ekspozimin e BKS ndaj penaliteteve nga autoritetet rregullatorë”, thotë raporti.

Për secilën pikë, Auditori ka dhënë rekomandime për të shërbyer si udhëzues për përmirësimin e dobësive në kontrollet e brendshme, menaxhimin e rrezikut, në mënyrë që ato të mund të tejkalohen

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy