Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se ka ndërprerë përkohësisht operimin e Impiantit për Trajtimin e Ujit të Pijes, si pasojë e rritjes së theksuar të nivelit të turbiditetit në burimet e ujit.
Sipas njoftimit për publikun, kushtet aktuale teknike nuk lejojnë trajtimin dhe shpërndarjen e ujit në përputhje me standardet e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes. Për këtë arsye, është marrë vendimi për ndalimin e përkohshëm të operimit të impiantit.
Nga KRU “Mitrovica” bëhet e ditur se ekipet teknike janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe se operimi do të rifillojë menjëherë sapo niveli i turbullirës të kthehet në vlera të pranueshme.
Kompania ka bërë të ditur se qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë, duke kërkuar njëkohësisht mirëkuptimin e tyre për situatën e krijuar.

