Më 9 shkurt pritet të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas kalendarit zyrtar të kësaj gjykate, nga kjo datë janë planifikuar seancat për dëgjimin e deklaratave përmbyllëse.
Në total, janë paraparë shtatë seanca për këtë fazë të procesit, të cilat më pas do të pasohen nga seancat e njohura si “administrim i drejtësisë”.
Kjo fazë e fundit e gjykimit pritet të zgjasë deri në javën e parë të muajit mars. Përditësimi i kalendarit vjen pas refuzimit të kërkesës së Jakup Krasniqit për lirim me kusht.
Edhe pse procesi gjyqësor po i afrohet përfundimit dhe nuk ka më dëshmitarë apo prova të reja, Gjykata Supreme ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Krasniqit, njësoj si më herët edhe atë të Kadri Veselit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, më 30 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga kryegjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe gjykatësit Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, refuzoi kërkesën e Jakup Krasniqit për mbrojtje të ligjshmërisë, e paraqitur në nëntor 2025. Kërkesa lidhej me vendimin e Gjykatës së Apelit të 13 gushtit 2025, i cili kishte konfirmuar rrëzimin e kërkesës për lirim të përkohshëm nga Trupi Gjykues.

