Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një Memorandum Presidencial që parasheh tërheqjen e SHBA-së nga gjithsej 66 organizata ndërkombëtare, të cilat, sipas Shtëpisë së Bardhë, nuk përputhen më me interesat strategjike të vendit.
Vendimi është bërë publik përmes një njoftimi zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në platformën X, nën moton “America First”.
Sipas njoftimit, tërheqja përfshin 35 organizata ndërkombëtare që nuk janë pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara, si dhe 31 organizata dhe entitete që funksionojnë në kuadër të OKB-së.
Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë publikuar listën e plotë të organizatave nga të cilat SHBA-ja do të largohet. Në deklaratë theksohet se ky hap synon rishikimin e angazhimeve ndërkombëtare të vendit dhe përafrimin e tyre me prioritetet dhe interesat kombëtare.
Vendimi pritet të shkaktojë reagime të shumta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në institucionet multilaterale, ku Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kyç për dekada me radhë.

