Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kishte kërkuar anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Vendimi është marrë në seancën e mbajtur më 9 janar 2026 nga paneli i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Pasuli (kryesues), Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj.
PDK kishte kontestuar administrimin e procesit të numërimit dhe shpalljen si të vlefshme të fletëvotimeve të dërguara me postë nga votimi jashtë Kosovës, duke kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të përjashtojë nga numërimi të gjitha fletëvotimet e pranuara pas afatit ligjor, përfshirë ato të datave 2 dhe 5 janar 2026.

