(Analizë)

Shkruan: Ahmet Asani
Kohët e fundit po lexojmë analiza të ndryshme nga njerëz të ndryshëm, që është për t’u vlerësuar, por ajo që vërehet është se më shumë merren me pasojat sesa me shkaqet. Normalisht që për të bërë analizë na duhen rezultatet, por nëse kërkojmë diagnozën, duhet të merremi me shkaqet e jo me pasojat:
1. Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga lindja e deri më sot, jo vetëm që nuk u desh dhe u urrye, por është luftuar me të gjitha mjetet që nga momenti i lindjes, nga e gjithë e majta vetem per faktin se e para doli kunder monizmit. LDK u luftua para luftës nga të gjitha lëvizjet në Kosovë dhe në diasporë që ishin të afërta me Partinë Socialiste të Shqipërisë. Meqë nuk u arrit shkatërrimi i saj me sulme nga jashtë, u provua të merrej “kalaja” nga brenda. Gjatë luftës, jo vetëm prijësit, por edhe aktivistët e LDK-së u ndoqen dhe u vranë në bazë të listave që ishin përpiluar shumë kohë para luftës nga drejtues të lëvizjeve të majta!
2. Pas luftës, PDK-ja, e cila e kishte shpallur veten trashëgimtare të vlerave të luftës, me shpresën se do ta zhdukte , nuk e ndali luftën ndaj LDK-ës! Me kalimin e kohës, PDK e kuptoi se ajo që po i bëhej LDK-së ishte e padrejtë dhe reflektoi duke e pozicionuar veten si parti e djathtë. Kjo ndalesë e luftës ndaj LDK-së dhe kalimi i saj nga e majta në të djathtë nuk iu pëlqeu një pjese të madhe të aktorëve të majtë të PDK-së, të cilët, pas reformave të PDK-së, kaluan nga PDK në LVV.
3. LVV, edhe pse në fakt u themelua dhe u mbështet nga veprimtarë të majtë, të cilët si për nga idetë, ashtu edhe për nga mosha, janë ndër më të vjetrit në Kosovë, arriti ta shesë veten para popullit si lëvizje me ide të reja dhe themelues “të rinj”! Sa i përket luftës kunder LDK-ës, pa dyshim se luftën që PDK-ja e kishte lënë në gjysmë, e vazhdoi LVV-ja. Për ta luftuar dhe shkatërruar LDK-në, ajo zgjodhi metodën e vjetër të përçarjes: e sulmonte PDK-në dhe bënte sikur synonte shkatërrimin e saj, por në fakt objektivi kryesor ishte dhe mbeti LDK-ja!
4. Mirëpo faktorët kryesorë për gjendjen ku ndodhet sot LDK-ja nuk duhet kërkuar jashtë, por duhet kerkuar brenda vet trupit, mendjes dhe frymës së LDK-së. Fillet e shkatërrimit të LDK-së burojnë nga disa figura të cilat, mjerisht, edhe sot e kësaj dite nga një pjesë e ish anëtarësisë, dhe qëllimisht nga kundërshtarë te LDK-së, prezantohen e perceptohen si “më rugoviste se sa vetë Ibrahim Rugova”. I pari që i ra me sopatë dhe e ndau në dy pjesë LDK-ën padyshim që ishte Nexhat Daci, pas të cilit shkuan të gjithë ata që e shihnin Dacin si inkarnim të Ibrahim Rugovës! Pas shuarjes së LDD-së, kjo anëtarësi kurrë nuk iu kthye më LDK-së!
5. Pas Dacit ishte Vjosa Osmani ajo që i ra thikë pas shpine LDK-së. Ajo arriti ta bindte një pjesë të madhe të anëtarëve të LDK-së dhe ish-anëtarëve të LDD-së që t’i bashkoheshin asaj kudo që ajo të shkonte. Dhe keshtu ndodhi, pas Vjosa Osmanit, në koalicionin LVV kaluan mbi 100.000 votues të LDK-së e ish LDD-së, me bindjen se Vjosa Osmani do të kontribuonte që Kosova të mos rrëshqiste në diktaturë dhe në armiqësi me Perëndimin dhe SHBA-të. Koha tregoi se ky ishte një qëndrim dhe vendim i gabuar!
6. Sa i përket Lumir Abdixhikut, mendoj se ata që e propozuan dhe menaxhuan ardhjen e tij ne krye te LDK-ës, kishin parasysh faktin se Abdixhiku, si bashkëvendës i Dacit dhe mik i Vjosës, do t`mund t’i kthente në LDK edhe ish anëtarët e LDD-së dhe ish anëtarët e LDK-ës të listes GUXO, bashkë me “bletën amë” të tyre, Vjosa Osmanin. Mirëpo, kjo doli të ishte një llogari e gabuar dhe një vendim i gabuar i atyre që menaxhuan ardhjen e Abdixhikut në krye të LDK-së!
SI MË TUTJE?
Më tutje është shumë e thjeshtë: kur dihen shkaqet, duhet vetëm të përvishen krahët dhe t’u bihet këmbëve, nga nëndegët në degë, nga fshatra në qytete, nga vendi në diasporë, duke dalë hapur me fakte për dështimet dhe duke ndërmarrë masa konkrete e ndryshime të duhura.

