Një 21-vjeçar ka dalë në gjyq në Hamburg, i akuzuar për kryerjen e krimeve të shumta në internet, përfshirë detyrimin e një 13-vjeçari për të kryer vetëvrasje online.
I riu, i cili përdori pseudonimin Tigri i Bardhë, besohet të ketë qenë një figurë e shquar në një grup kriminelësh kibernetikë ndërkombëtarë të njohur si “764”.
Ai akuzohet për nxitjen e fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës 11 deri në 15 vjeç për të kryer akte dhune kundër vetes në internet.
Autoritetet thonë se viktimat e “Tigrit të Bardhë” vinin nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe SHBA-ja, por avokati i tij i përshkroi akuzat si të pabaza dhe të sajuara.
Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) e përshkroi grupin “764” si një ndërmarrje ndërkombëtare të shfrytëzimit të fëmijëve dhe një “rrjet ekstremistësh të dhunshëm nihilistë” dhe gjithashtu bëri një numër arrestimesh.
Sipas ‘BBC’, i riu i identifikuar vetëm si Shahriar J në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, ka shtetësi gjermane dhe iraniane. Ai u arrestua në shtëpinë e prindërve të tij në Hamburg verën e kaluar, ndërsa akuzohet për 204 vepra penale kundër më shumë se 30 fëmijëve dhe adoleshentëve.
Prokurorët në Hamburg thonë se krimet janë kryer midis viteve 2021 dhe 2023.
Shahriar J dyshohet se i ka bërë fëmijët veçanërisht të prekshëm të varur emocionalisht prej tij nëpërmjet mediave sociale. Më pas besohet se e ka shfrytëzuar këtë lidhje për të krijuar pornografi me fëmijë, ndërsa në disa raste, ai akuzohet se i ka bindur viktimat e tij të vetëvriten.
I pandehuri akuzohet se ka bërë regjistrime të kësaj ngjarjeje me qëllim që t’i kërcënojë fëmijët se do t’i publikojë nëse nuk do t’i shkaktonin vetes dëmtime edhe më serioze para kameras.
Përpara se të fillonte gjyqi, avokatja mbrojtëse e 21-vjeçarit, Christiane Yüksel, i hodhi poshtë akuzat si të pabaza dhe të sajuara.

