Eksperti i sigurisë Drizan Shala ka reaguar publikisht përmes një postimi ndaj deklaratave të fundit të Milovan Drecunit, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe me karakter të pastër propagandistik. Sipas Shalës, fjalët e Drecunit nuk kanë asnjë lidhje me analiza reale të sigurisë, por synojnë nxitjen e frikës dhe tensioneve artificiale në rajon.
Në reagimin e tij, Shala thekson se deklaratat e Drecunit burojnë nga struktura kriminale dhe politike në Beograd, të cilat historikisht kanë prodhuar destabilizim në Ballkan. Ai vlerëson se gjuha e përdorur është e njohur dhe e konsumuar, duke shërbyer si mjet për të mbuluar dështimet strategjike të Serbisë përballë realitetit të ri politik dhe institucional në rajon.
Sipas Shalës, Drecuni përpiqet të projektojë frikën e një sistemi që nuk arrin ta pranojë funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo, sipas tij, shfaqet përmes narrativës së viktimizimit të rremë dhe pretendimeve të pabazuara për kërcënime të sigurisë.
“Kur Milovan Drecuni flet për siguri, Ballkani duhet të dëgjojë me alarm – sepse aty nuk flet arsyeja, por nëntoka kriminale e një politike që jeton nga frika dhe kaosi”, shkruan Shala, duke shtuar se deklaratat e tilla nuk janë as politike, as analitike dhe as të besueshme.
Ai thekson se Kosova nuk përbën kërcënim për asnjë shtet apo popull, ndërsa rreziku real, sipas tij, vjen nga figura politike që ushqehen nga kaosi dhe nga mediat pro-Beogradase, të cilat vazhdojnë të promovojnë propagandë duke mohuar realitetin shtetëror të Kosovës.

