Ish-koloneli i Policisë së Kosovës kritikon Qeverinë: Familjet e policëve të rënë nuk mund të presin më për pensionet

by informim peje

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka shprehur keqardhjen lidhur me mospagesën e pensionit të garantuar me ligj për familjet e 24 policëve të rënë në krye të detyrës, duke thënë se Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave, duhet sa më parë dhe pa asnjë vonesë t’i ekzekutojë këto pagesa, raporton Ekonomia Online.

Morina, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se pagesa për familjet e policëve që humbën jetën në krye të detyrës është shenjë respekti nga populli, pasi ata dhanë jetën për të mbrojtur rendin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, e cila u ndërtua me sakrificë.

banner

“Unë mendoj se Sindikata ka vepruar drejt dhe reagimi i saj është i arsyeshëm, pasi kemi të bëjmë me një kategori të kolegëve tanë që kanë rënë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Këto pagesa janë respekt për familjarët e tyre dhe nuk duhet të ketë vonesa, sidomos për pensionimin e anëtarëve të familjes. Nuk e di arsyen pse Ministria nuk i ka ndarë mjetet pensionale për familjet e kolegëve tanë të rënë, por një gjë e tillë duhet të ndodhë sa më parë. Kjo është detyrë e institucioneve shtetërore, por edhe respekt nga e gjithë popullata, sepse këta policë kanë dhënë jetën duke mbrojtur rendin dhe sigurinë e Kosovës”, tha ai.

Morina theksoi gjithashtu mungesën e kushteve me të cilat po përballen policët gjatë kryerjes së detyrës, duke përmendur veshmbathjen dhe pajisjet, si dhe duke nënvizuar se institucionet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje sektorit të sigurisë.

“Në përgjithësi, kushtet janë në rrjedha normale, por ka pengesa, sidomos te veshmbathjet, rrobat e dimrit, ndresat dhe pajisjet e tjera. Gradualisht mendoj se po plotësohet kjo kuotë e veshmbathjeve, si dhe e automjeteve, veçanërisht pajisja e tyre me goma dimri. Gjithashtu, duhet pasur kujdes më të shtuar për të ardhurat e zyrtarëve policorë, në mënyrë që ata gjatë kryerjes së detyrës të mos përballen me vështirësi për sigurimin e nevojave ushqimore për familjet e tyre. Prandaj, nevojitet një kujdes më i madh nga institucionet tona, që të kemi një polici dinjitoze dhe profesionale, ashtu siç jemi mësuar ta kemi. Institucionet duhet të kenë kujdes të veçantë ndaj sektorit të sigurisë, sepse bëhet fjalë për një institucion të ndjeshëm, baza kryesore e të cilit është ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në territorin e Kosovës”, theksoi ai.

Po ashtu, Morina tha se Qeveria e ardhshme duhet të ketë parasysh edhe aspektin teknologjik.

“Mendoj se në mandatin e ardhshëm institucionet tona, sidomos Qeveria, duhet të kenë kujdes më të madh për mbulimin e plotë teknik dhe teknologjik të Policisë së Kosovës, departamenteve dhe drejtorive të saj. Ato duhet të pajisen me teknologji moderne, pasi jetojmë në shekullin e shkencës bashkëkohore dhe zhvillimit të vazhdueshëm teknologjik. Po ashtu, duhet të ketë kujdes të shtuar për Drejtorinë Kibernetike, duke siguruar ekspertë sa më të mirë, të shkolluar dhe të edukuar në shtetet më të avancuara, sidomos në fushën e luftës kibernetike. E njëjta vlen edhe për njësitë antidrogë dhe ato kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Duhet një ngritje e përgjithshme e bazës ekonomike, materiale, teknike dhe teknologjike brenda Policisë, në mënyrë që detyrat dhe obligimet të kryhen në mënyrë profesionale, konform Ligjit për Policinë”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, Sindikata e Policisë së Kosovës, të premten, ka shprehur shqetësimin e saj se gjatë muajit dhjetor Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar mjetet për familjet e policëve të rënë në detyrë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me mospagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor. Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290 mijë euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, thuhet në komunikatën për media.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy