Kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj, ka treguar se në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ka arritur të siguroi një ulëse në Kuvend.
Megjithatë, ai ka falënderuar 13 mijë e 561 qytetarët që e kanë votuar.Në profilin e tij në “Facebook”, ai e ka komentuar edhe rezultatin jo të mirë të partisë në këto zgjedhje.
Sipas tij, rezultati i pafavorshëm për LDK-në është pasojë e gabimeve politike të cilat duhet t’i pranojmë secili zyrtar nga pozicioni dhe përgjegjësia që ka.
“Rezultati i pafavorshëm për LDK-në është pasojë e gabimeve politike të cilat duhet t’i pranojmë secili nga pozicioni dhe përgjegjësia që kemi. Në ditët në vijim brenda strukturave tona do t’i shpalosim të gjitha qëndrimet tona, vërejtjet tona dhe propozimet që do t’i hapin rrugë rikthimit të LDK aty ku e ka vendin. LDK ka forcë dhe pjekuri politike që të kaloj këtë sfidë, me unitet veprues, me reforma përmbajtësore dhe cilësore si dhe me orientim të qartë politik”, ka shkruar ai, duke shtuar se LDK-ja do të rikthehet.
“LDK do të gjej forcën dhe rrugën e rikthimit të madh. Dhe ky rikthim do të ndodh. Do të ndodh për Kosovën. Unë do të mbetëm përherë në shërbimin tuaj. Në shërbim të së mirës. Në shërbim të shtetit të Kosovës! Liri, pavarësi, demokraci”, ka shkruar Manaj.

