Përfaqësuesja e Nigerisë ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës, pasi ka triumfuar me rezultat të pastër 2-0 ndaj Algjerisë në çerekfinale, në një ndeshje ku “Super Eagles” treguan epërsi dhe organizim të lartë, veçanërisht në pjesën e dytë.
Golat për Nigerinë u shënuan nga Victor Osimhen dhe Akor Adams, të cilët vulosën një fitore të merituar dhe i siguruan ekipit një përballje të madhe në gjysmëfinale ndaj Marokut, vendit nikoqir të këtij edicioni të turneut.
Zhbllokimi i rezultatit erdhi vetëm dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë, kur Victor Osimhen përfitoi nga një krosim i gjatë nga krahu i majtë i Bruno Onyemaechit dhe e dërgoi topin në rrjetë. Portieri i Algjerisë, Luca Zidane, tentoi të ndërhyjë, por një reagim i pasigurt dhe pozicionim i gabuar e bënë të pamundur ndaljen e goditjes, duke ia lehtësuar rrugën golit nigerianëve.
Algjeria u përpoq të reagojë, por mbrojtja e Nigerisë qëndroi e organizuar, ndërsa Akor Adams shënoi golin e dytë në vazhdim të ndeshjes, duke shuar përfundimisht shpresat e algjerianëve për rikthim.
Me këtë fitore, Nigeria konfirmon formën e saj të mirë në turne dhe tashmë synon finalen, ndërsa në gjysmëfinale do të përballet me Marokun, në një duel që pritet të jetë ndër më interesantët e Kupës së Afrikës.

