Vrasja e rreshterit Muhamet Lika në Kaçanik: Dyshime për radikalizëm fetar të gjashtë të dyshuarve

by engel

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ngjarje e cila tronditi komunitetin në Kaçanik më 1 prill 2025. Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, gjashtë persona dyshohen për përfshirje në këtë ngjarje, ndërsa njëri prej tyre është i mitur dhe thuhet se ka qenë dorasi kryesor.

Aktakuza tregon se gjatë ekzaminimeve të telefonave të të akuzuarve janë gjetur mesazhe, dokumente, fotografi dhe komunikime në rrjetet sociale TikTok, Snap dhe Instagram që mund të tregojnë për radikalizim fetar dhe lidhje të mundshme me grupe ekstremiste si “ISIS”. Prokuroria vlerëson se provat e mbledhura sugjerojnë mundësinë që grupi të jetë radikalizuar ose të ketë qenë i shtyrë drejt radikalizmit fetar.

banner

Përveç provave digjitale, një mori materialesh të tjera – video-incizime, dokumente dhe deklarata dëshmitarësh – janë mbledhur nga hetuesit që çuan në kallëzimin penal për gjashtë të dyshuarit: Haki Bela (25 vjeç), Diamant Gashi (21 vjeç), Rilind Murati (21 vjeç), Vatan Çaka (19 vjeç), Edmond Lika (22 vjeç) dhe Shkëlqim Kuka (22 vjeç).

Sipas dosjes së prokurorisë, i mituri R.B., 17 vjeç, ka qëlluar Lika-n në shkallët e banesës, ndërsa të tjerët janë përfshirë në planifikim, përcjellje dhe mbështetje pas kryerjes së vrasjes. Diamant Gashi, sipas prokurorisë, e ka strehuar të miturin pas ngjarjes dhe ka ofruar ndihmë të ndryshme.

Deklaratat e gruas së Muhamet Likës

Gruaja e viktimës, V.Lika, ka dhënë disa deklarata që i janë bashkangjitur aktakuzës. Ajo ka thënë se disa ditë para vrasjes, burri i saj kishte shprehur shqetësime për disa persona që qëndronin bashkë para lokaleve dhe xhamisë. “Diku rreth 3-4 ditë para vrasjes së tij, përderisa ishim duke u kthyer në banesë, i thashë: ‘Këta persona janë duke qëndruar të gjithë së bashku’. Ai më tha: ‘Diçka ka me krisë këtu, shumë janë duke qëndruar bashkë’”, ka rrëfyer ajo.

Gjithashtu, ajo ka treguar për shqetësime që Lika kishte pasur për shpërndarjen e fletushkave me përmbajtje fetare dhe djegien e një pishë në qytet, ngjarje që lidhet me personin e mitur R.B. dhe shokët e tij. Sipas saj, disa nga të dyshuarit kishin lidhje me praktikues ekstrem të fesë dhe qëndronin shpesh së bashku, duke krijuar një ndjesi të vëzhgimit të rreshterit.

Deklaratat e të dyshuarve

Të gjithë gjashtë të akuzuarit kanë mohuar përfshirjen e tyre në vrasje gjatë seancave të procedurës paraprake.

Haki Bela, 25 vjeç, vëllai i të miturit R.B., ka thënë se është i pafajshëm dhe se frekuenton rrugën përballë stacionit policor dhe banesën e tij çdo ditë, prandaj praninë e tij në afërsi të vendit të ngjarjes e konsideron rastësi. “Personalisht e përshëndes familjen e viktimës, ndjej keqardhje për rastin që ka ndodhur, por nuk kam të bëj asgjë me këtë ngjarje”, ka thënë Bela.

Diamant Gashi, 21 vjeç, gjithashtu ka mohuar përfshirjen. “Në ditën kritike kam qenë në shtëpi dhe nuk kam kryer asnjë nga veprimet e përmendura në aktakuzë. Jam plotësisht i pafajshëm dhe lajmin për vrasjen e kam marrë mëngjesin e ditës së nesërme nga prindi im”, ka deklaruar ai.

Rilind Murati, 21 vjeç, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka theksuar: “E mbështes deklarimin e avokatit tim mbrojtës. Nuk jam përfshirë në këtë çështje penale dhe jam plotësisht i pafajshëm”.

Vatan Çaka, 19 vjeç, ka deklaruar se ka shkuar në vendngjarje vetëm nga kureshtja pasi kishte kuptuar nga rrjetet sociale për vrasjen e një veterani të UÇK-së dhe ka shtuar se nuk kishte mundësi të kryente një akt të tillë.

Edmond Lika, 22 vjeç, ka thënë se praninë e tij në vendngjarje e ka pasur rastësisht dhe nuk ka lidhje me ngjarjen. Shkëlqim Kuka, 22 vjeç, ka dhënë një deklaratë të ngjashme, duke mohuar përfshirjen e tij.

Prokuroria dhe provat

Sipas prokurorisë, analiza e video-incizimeve nga lokacionet përreth vendit të ngjarjes tregon se të akuzuarit e kanë përcjellë rreshterin Lika dhe kanë koordinuar lëvizjet e tyre për të kryer vrasjen. Dosja e prokurorisë përfshin gjithashtu hetime telefonike dhe materiale digjitale që lidhen me radikalizmin fetar dhe mundësinë e lidhjes me grupe ekstremiste.

Aktakuza përshkruan një bashkëkryerje të planifikuar të veprës penale, ku secili prej të dyshuarve ka një rol të caktuar, duke përfshirë përcjelljen, koordinimin dhe strehimin e dorasit. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë, ndërsa publiku dhe familja e viktimës presin drejtësi për rreshterin e ndjerë Muhamet Lika, një oficer i cili sipas familjarëve nuk kishte konflikte personale dhe i cili shërbeu me devotshmëri në Policinë e Kosovës.

Në fokus të hetimeve mbetet gjithashtu aspekti i radikalizmit fetar dhe ndikimi i mundshëm i grupeve ekstremiste në këtë ngjarje tragjike, duke bërë që rasti të shihet jo vetëm si një vrasje kriminale, por edhe si një alarm për sigurinë e brendshme në komunitet.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy