Alkaraz–Siner, super sfidë në Seul para “Australian Open”

by Nexhat

Një javë nga starti i “Australian Open”, në një fushë rozë të vendosur në Korenë e Jugut dhe rreth 8.500 kilometra larg vendit të “Slam”-it të parë të sezonit (Melburn), sot në mëngjes rinis saga më pasionante e tenisit botëror.

Në orën 08:00 sipas orës së shqiptare (16:00 në Kore), Karlos Alkaraz dhe Janik Siner do të përballen në Seul në një ndeshje ekzibicioni, që për të dy do të përfaqësojë daljen e parë zyrtare të vitit 2026 dhe që do t’u garantojë një shpërblim milioner (flitet për të paktën 2 milionë euro secilit, edhe pse shifrat zyrtare nuk janë bërë ende publike).

banner

Prag-ndeshja e super-ekzibicionit, që do të luhet në “Inspire Arena” të Inçeonit (15 mijë vende), në fushë të fortë “indoor”, i është kushtuar mediave me konferencën për shtyp të dy protagonistëve. Alkaraz dhe Siner, numrat 1 dhe 2 të tenisit botëror, ulen sërish krah për krah, 55 ditë pas finales së “ATP Finals” në Torino, që i dhuroi italianit titullin e dytë radhazi të “Maestro-s”. I pari që e mori fjalën ishte Alkaraz, në paraqitjen e tij të parë publike pas ndarjes surprizë nga trajneri Huan Karlos Ferrero:

“Gjatë këtij muaji e gjysmë kam pushuar dhe Jam përgatitur për fillimin e sezonit. Të kesh një muaj përgatitje është një mundësi e madhe. Jam i lumtur të nisim sezonin dhe të luajmë këtu. Gjëja më e rëndësishme është ta qasësh mirë sezonin. Ta fillosh duke luajtur këtu me Janikun mendoj se është një mënyrë e shkëlqyer për t’u përgatitur për ‘Australian Open’. Do të jemi gati për ditët e para të ‘Slam’- it. Shpresojmë të luajmë shumë finale dhe shumë ndeshje bashkë. Të shohim çfarë do të na sjellë ky vit”, u shpreh fillimisht Alkaraz

Në të njëjtën linjë edhe Siner, i cili u shfaq i qetë dhe i buzëqeshur përkrah mikut dhe rivalit të tij: “Jam shumë i lumtur që ndodhe këtu dhe që shoh kaq shumë njerëz të gëzuar për të na parë duke luajtur. Energjia është fantastike që nga aeroporti. Do të përpiqemi të luajmë tenisin më të mirë të mundshëm. Gjëja më e rëndësishme është t’i argëtojmë njerëzit dhe të jemi gati për eventin e madh në Australi, që sigurisht është turneu që ka më shumë peshë. Kam pasur kohën e nevojshme për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë. Kam kaluar Krishtlindjet në shtëpi dhe kjo të jep edhe më shumë energji për të bërë një sezon të bukur. Kemi ende disa detaje të vogla për të rregulluar para Australisë, sepse kushtet atje do të jenë krejtësisht ndryshe nga ato të muajve të fundit”, deklaroi italiani.

SINER–ALKARAZ, ORTAKË NË DOPIO? Spanjolli dhe italiani, të cilët kanë fituar mes tyre tetë titujt e fundit të “Grand Slam”-it, janë shprehur të hapur ndaj idesë për të luajtur të paktën një herë bashkë në dyshe në cirkuitin profesionist. “Do të ishte bukur. Unë do të luaja në krahun e djathtë dhe ai në anën e reverit”, tha Alkaraz, me Sinerin që e priti me buzëqeshje këtë deklaratë. Më pas Siner shtoi: “Nuk kemi folur kurrë seriozisht për këtë, por do të ishte bukur ta ndanim fushën në një mënyrë tjetër, të ishim në të njëjtën anë.

Dopioja kërkon më pak kohë rikuperimi, por do ta diskutojmë. Ndoshta këtë vit ose vitin tjetër, pse jo”. Dy turne spikasin si skena të mundshme për këtë bashkim historik: “Indian Wells” ose “Mutua Madrid Open”. Alkaraz dhe Siner janë përballur deri tani 16 herë, me tenistin nga Murcia që kryeson bilancin me 10 fitore kundrejt 6 të italianit. KRAHASIMI ME “BIG THREE” – “E di shumë mirë çfarë kanë bërë ‘Big Three’ dhe nuk mund të krahasohemi me ta. Nëse ne ulim pak nivelin, të tjerët janë gati të na zëvendësojnë. Të gjithë janë të ndryshëm: unë jam i lumtur të jem pjesë e këtij rivaliteti dhe për mua është shumë e bukur të kem Karlosin që më shtyn gjithmonë në limit sa herë që luajmë”, përfundoi Janik Siner

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy