Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka komentuar zhvillimet e shpejta në Iran gjatë fjalës së tij në hapjen e mbledhjes së kabinetit qeveritar izraelit.
Netanyahu deklaroi se Izraeli po i ndjek nga afër dhe me vëmendje të veçantë ngjarjet në Iran, ku protestat në mbështetje të lirisë janë përhapur në të gjithë vendin.
“Populli i Izraelit , ashtu si e gjithë bota, shpreh admirim për guximin e jashtëzakonshëm që kanë treguar qytetarët e Iranit,” u shpreh ai.
Sipas kryeministrit izraelit, Izraeli mbështet përpjekjet e qytetarëve iranianë për liri dhe dënon ashpër aktet e dhunës dhe vrasjeve masive ndaj civilëve të pafajshëm.
“Të gjithë shpresojmë që kombi pers të çlirohet së shpejti nga zgjedha e tiranisë. Dhe kur të vijë ajo ditë, Izraeli dhe Irani do të jenë sërish partnerë të besueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje me prosperitet dhe paqe për të dy popujt,” tha Netanyahu.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur po shtohen spekulimet ndërkombëtare për një ndërhyrje të mundshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.

