Drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ka bërë thirrje të dielën të gjithë ngasësve në vend për kujdes në trafik. Pas reshjeve të shumta të shiut, tani në vendin tonë po mbretëron një mot me krysisht me borë dhe me temperatura të ulëta.
“Në shumë pjesë të vendit, sot kushtet e motit janë më të vështirësuara dhe kërkojnë që shoferët e automjeteve të kenë fokus dhe konsideratë shtesë. Kërkohet të ushtroni kujdes maksimal. Mos harroni, nuk jeni vetëm në rrugë”, ka shkruar Jeton Rexhepi në Facebook.
Sot Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se temperaturat do të jenë të ulëta, gjë që krijohen kushte për ngrica.
Sipas Institutit, pas reshjeve rekorde që përfshinë pothuajse të gjithë territorin e vendit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve.
Por, sipas njoftimit, java nis me depërtimin e masave të ftohta ajrore, të cilat do të përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të temperaturave.
“Temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12°C, ndërsa maksimalet ditore gjatë mesditës do të arrijnë deri në 7°C. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, e lehtë deri mesatare. Mëngjeset do të jenë të ftohta me ngrica, ndërsa vende-vende pritet të ketë edhe mjegull. Këshillohet kujdes i shtuar për pjesëmarrësit në trafik”, njofton Instituti.
Të hënën, moti do të mbajë kryesisht i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale:-11 deri -8°C, temperaturat maksimale: -5 deri -1°C./KP

