Real Madridi ka zyrtarizuar emërimin e Alvaro Arbeloas si trajner të ri të ekipit të parë. Ish-mbrojtësi i njohur i “Los Blancos” merr drejtimin e skuadrës pas largimit të Xabi Alonsos, duke u ngjitur nga stoli i Real Madrid Castilla, që ai e drejtonte deri më tani.
Arbeloa e mori drejtimin e Castillas vetëm disa muaj më parë, duke e lënë Castillan në vendin e katërt të renditjes, në zonën e “play-off”-it për ngjitje. Performanca e tij dhe puna e vazhdueshme në strukturat e klubit kanë bindur drejtuesit e Real Madridit që t’i besojnë atij pankinën e ekipit të parë.
Debutimi i tij si trajner i Real Madridit pritet të ndodhë të mërkurën në Albacete, në kuadër të Kupës së Mbretit. Para kësaj ndeshjeje, Arbeloa pritet të dalë në konferencë për media, e cila njëkohësisht pritet të shërbejë edhe si prezantimi i tij zyrtar para mediave.
Në komunikatën zyrtare, Real Madrid C. F. ka bërë të ditur se Arbeloa ka qenë trajner i Castilla-s që nga qershori i vitit 2025 dhe se e gjithë karriera e tij si trajner është zhvilluar brenda akademisë së klubit, që nga viti 2020. Ai ka drejtuar me sukses disa grupmosha, përfshirë Infantil A, Cadete A dhe Juvenil A.
Si trajner i Juvenil A, Arbeloa ka arritur suksese të mëdha, duke fituar tripletën në sezonin 2022/2023 (La Liga, Kupa e Mbretit dhe Kupa e Kampionëve), si dhe titullin e kampionit në sezonin 2024/2025. Tashmë, ai përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij trajneriale, drejtimin e ekipit të parë të Real Madridit.

