Është anuluar seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, e cila ishte paraparë të mbahej sot nga ora 09:30. Shkak për anulimin është avancimi i kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Arben Hoti, në Gjykatën e Apelit.
Anulimin e seancës e ka konfirmuar për KosovaPress zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila bëri të ditur se së shpejti do të caktohet gjyqtari i ri për këtë lëndë.
“Gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Lënda do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Nagip Krasniqi po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ai dyshohet se në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021, ka lejuar tregtimin e energjisë elektrike në Kosovë nga operatori slloven “Holding Slovenske Elektrane”, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjin për Rregullatorin e Energjisë.
Aktakuza thotë se Krasniqi kishte aprovuar blerje, nënshkruar kontrata dhe autorizuar vazhdimin e bashkëpunimit me këtë operator, ndonëse ishte në dijeni se ai nuk kishte licencë të vlefshme nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE). Me këto veprime, operatorit i ishte mundësuar përfitim pasuror dhe shmangie nga pagesat tatimore, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Kosovës në vlerë prej 531.920.79 euro.
Po ashtu, sipas aktakuzës, janë dëmtuar dhe diskriminuar operatorë të tjerë ekonomikë të licencuar që vepronin në tregun e Kosovës. Ndërkohë, dëmi material ndaj KEK-ut vlerësohet në 3.229.905 euro.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzën ndaj Krasniqit më 19 gusht 2024. Ai ishte arrestuar më 19 prill 2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi, ndërsa kishte qëndruar në paraburgim nga 20 prilli deri më 15 shtator 2023.
Ndërkohë, ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2024 ka ngritur edhe një aktakuzë tjetër për veprat penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

