Autoritetet spanjolle kanë goditur të hënën një grup kriminal shqiptar që grabiste banesa luksoze në jug të vendit. Anëtarët përdornin maska dhe paruke për t’iu fshehur kamerave.
Sipas Guardia Civil, anëtarët e bandës vëzhgonin për ditë me radhë milionerët e Costa del Sol-it, për të mësuar adresat dhe rutinën e tyre të përditshme. Pasi siguronin këto informacione, ata hynin në banesat luksoze, të maskuar me maska dhe paruke, duke vjedhur bizhuteri, para cash dhe sende me vlerë të lartë.
Hetimi disa mujor çoi në identifikimin e anëtarëve të grupit, pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’u fshehur përmes maskave. Për pasojë u arrestuan pesë persona, ndërsa edhe 11 të tjerë u vunë nën hetim.
Gjatë operacionit, autoritetet identifikuan disa banesa në zonat e Marbella dhe Mijas, të cilat dyshohet se përdoreshin si baza operative.
Pas kontrolleve me autorizim gjykate, policia sekuestroi 39,465 euro cash, tre armë zjarri, municion, dy automjete luksoze të vjedhura, shtatë targa të përkulura, si dhe ora luksoze të markave të shtrenjta.
Vlera totale e sendeve të sekuestruara kap shifrën mbi 80 mijë euro.

