Irani ka shprehur gatishmëri për negociata me Shtetet e Bashkuara, pas protestave më të mëdha antiqeveritare të viteve të fundit dhe përshkallëzimit të presionit nga Uashingtoni. Lajmi u bë i ditur nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili deklaroi se udhëheqësit politikë të Teheranit kanë kontaktuar për të hapur bisedime.
“Dje, udhëheqësit e Iranit telefonuan, ata duan të negociojnë. Mendoj se janë të lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara. Një takim po caktohet”, tha Trump, duke shtuar se situata mbetet e ndërlikuar dhe se SHBA mund të detyrohet të veprojë edhe para zhvillimit të takimit, raporton A2.
Megjithatë, pavarësisht sinjaleve për dialog, presidenti amerikan theksoi se opsioni i ndërhyrjes ushtarake nuk është përjashtuar. Ai deklaroi se dhuna gjatë protestave ka shkaktuar viktima dhe se ushtria amerikane po shqyrton disa skenarë të mundshëm reagimi. “Po e marrim shumë seriozisht situatën dhe do të marrim një vendim”, u shpreh Trump.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka akuzuar faktorë të jashtëm për përshkallëzimin e dhunës, duke pretenduar se protestat janë bërë të dhunshme qëllimisht për t’i dhënë një justifikim administratës amerikane për ndërhyrje. Në një takim me diplomatë të huaj, Araghchi deklaroi se situata e sigurisë në vend tashmë është “nën kontroll të plotë”, raporton Al Jazeera.
Ai bëri të ditur gjithashtu se interneti, i cili ishte ndërprerë për rreth 86 orë gjatë protestave, pritet të rivendoset së shpejti, por në koordinim me autoritetet e sigurisë.
Protestat në Iran kanë hyrë në javën e dytë dhe fillimisht shpërthyen në Teheran për shkak të krizës ekonomike, për t’u shndërruar më pas në demonstrata mbarëkombëtare me thirrje për rrëzimin e autoriteteve fetare.
Sipas organizatës amerikane për të drejtat e njeriut HRANA, të paktën 545 persona janë konfirmuar të vrarë, rreth 580 rezultojnë të zhdukur, ndërsa afro 11 mijë protestues janë arrestuar. Ndërkohë, televizioni opozitar Iran International, me seli në Londër, raporton se numri i viktimave mund të ketë arritur në të paktën 2,000 persona.

