LDK mblidhet për herë të parë pas 28 dhjetorit – A do t’i kërkohet dorëheqja Abdixhikut?

by engel

Kryesia e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pritet të mblidhet nesër për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ku kjo parti shënoi një nga rezultatet më të dobëta elektorale në vitet e fundit.

Sipas burimeve të Periskopit, mbledhja do të mbahet në selinë qendrore të LDK-së, duke filluar nga ora 14:00. Ky takim vjen pas rezultatit zgjedhor ku LDK arriti të sigurojë vetëm 13.34 për qind të votave, duke përfituar 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës, pesë më pak se në përbërjen e kaluar parlamentare.

banner

Një zyrtar i lartë i LDK-së ka deklaruar se takimi pritet të ketë karakter konsultativ. “Më shumë është takim konsultativ…”, ka thënë ai, duke mos dhënë detaje të tjera për agjendën zyrtare.

Megjithatë, burime të tjera brenda partisë bëjnë të ditur se në këtë mbledhje do të hapet diskutimi për përgjegjësinë politike pas rezultatit zgjedhor, përfshirë edhe pozitën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas këtyre burimeve, pritet të diskutohet nëse Abdixhikut do t’i kërkohet dorëheqja apo largimi nga posti udhëheqës i partisë.

Po ashtu, në rend dite pritet të jetë edhe mënyra e veprimit të grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, në një legjislaturë ku kjo parti do të ketë rol më të kufizuar numerikisht.

Mbledhja e nesërme shihet si test i parë serioz për unitetin e brendshëm të LDK-së pas zgjedhjeve dhe mund të përcaktojë drejtimin politik që do të ndjekë partia në periudhën e ardhshme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy