Suedia do të shpenzojë 4 miliardë korona (437 milionë dollarë) për dronë ushtarake që do të dorëzohen gjatë dy viteve të ardhshme, tha të martën Ministri i Mbrojtjes i vendit, Pál Jónsson.
Suedia, një anëtare e NATO-s, do të blejë sisteme pa pilot që do të përfshijnë dronë sulmi me rreze të gjatë veprimi, sisteme lufte elektronike dhe dronë zbulimi, si dhe dronë mbikëqyrjeje detare dhe pastrimi minash.
“Askush nuk e di se si do të duket lufta e ardhshme, por një gjë është e qartë, fusha e betejës e ardhshme do të karakterizohet nga sisteme pa pilot dhe aftësi me rreze të gjatë veprimi”, tha Jönsson në konferencën vjetore të mbrojtjes të mbajtur në Salen në Suedinë veriore.
“Kushdo që nuk e kupton këtë, është drejtuar ose drejt vdekjes ose drejt humbjes. Lufta, siç e dimë, është një mësuese e ashpër”, u shpreh ministri.
Përveç kësaj, qeveria do të investojë 1.3 miliardë korona në satelitë të rinj ushtarakë, tha Jönsson.
Suedia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe anëtare e NATO-s, ka rritur shpenzimet e saj ushtarake që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

