Blloku B1 i termocentralit “Kosova B” ka dalë jashtë funksionit mëngjesin e së martës, duke rënduar edhe më tej situatën e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.
Vendi po vazhdon të përballet me vështirësi serioze në sektorin energjetik, pasi në disa ditë është shënuar gjenerim zero nga disa blloqe prodhuese. Sipas burimeve, problemi më i ndjeshëm aktualisht lidhet pikërisht me bllokun B1, i cili ka pasur ndërprerje të përsëritura edhe ditët e fundit.
Dalja nga operimi e këtij blloku rrit ndjeshëm varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe paraqet rrezik për stabilitetin e furnizimit, veçanërisht gjatë orëve me konsum të lartë.
Deri më tani, institucionet përgjegjëse në sektorin energjetik nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e prishjes dhe afatin e rikthimit të bllokut në punë.
Ndërkohë, më 8 janar, jashtë funksionit kishte dalë edhe blloku A4. Njohësja e fushës së energjisë, Janina Ymeri, kishte bërë të ditur se që nga 1 janari janë regjistruar dy rënie të blloqeve prodhuese, ndërsa blloku B1 kishte shënuar më herët edhe periudha me gjenerim zero.

