Dosja “Buka”/ Avokati kërkon që Arben Ahmetaj të pyetet me videokonferencë, debate në seancë! Shtyhet për në 27 janar

by Nexhat

Në gjykatën kompetente u zhvillua seanca e radhës e gjyqit në mungesë ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, për dosjen e njohur si “Buka”. Ahmetaj akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Gjatë seancës u shënuan debate mes avokatit mbrojtës të ish-zyrtarit të lartë dhe prokurorit të SPAK. Të pranishëm në sallë ishin edhe të dëmtuarit nga vepra penale, përfaqësues të familjes Myderizi.

banner

Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, paraqiti kërkesa për marrjen e provave në lidhje me çështjen e “Buka” SHA. Sipas tij, Ahmetaj nuk e pranon akuzën, deklarohet i pafajshëm dhe e konsideron atë politike. Mbrojtja kërkoi që Ahmetaj të pyetet përmes videokonference, të administrohen prova shkresore, të pyeten ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin teknik dhe kontabël, si dhe të thirren si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni. Po ashtu, u kërkua që të merren të gjitha aktet juridike në lidhje me “Buka” SHA dhe dokumentacioni përkatës.

Gjykata i kërkoi prokurorit të SPAK të shpjegojë veprimet dhe mosveprimet e Arben Ahmetajt që, sipas akuzës, përbëjnë shpërdorim detyre.

Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, deklaroi se në dosje janë depozituar vendime gjykatash që i kanë dhënë të drejtë familjes Myderizi. Ai theksoi se Ahmetaj ka vepruar përmes një urdhri, duke caktuar vetë dy ekspertë, ndërsa akti i ekspertimit paraqet kontradikta. Sipas prokurorit, privatizimi i pronës nuk është kryer më herët nga ish-ministrat Nasip Naço dhe Florian Mima, ndërsa Ahmetaj ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka fuqi ligjore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, u shpreh se mbrojtja po përpiqet të ngatërrojë çështjen, duke theksuar se bëhet fjalë për një shkelje të pastër të detyrës. Ai deklaroi se familja Myderizi ka fituar gjyqin ndaj Ministrisë së Ekonomisë me vendim të formës së prerë dhe ka kundërshtuar mënyrën e llogaritjes së aksioneve të pronarëve. Sipas tij, prona është vlerësuar shumë më poshtë se çmimi i tregut, duke u krijuar hapësirë për abuzime, ndërsa familja prej 30 vitesh kërkon pronën në rrugë ligjore, pavarësisht se ka fituar proceset gjyqësore.

Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 27 janar, për t’i dhënë kohë prokurorit të SPAK të shprehet mbi provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja e Arben Ahmetajt.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy