Prokuroria e Durrësit ka intensifikuar hetimet për përmbytjet e rënda që kanë goditur qarkun ditët e fundit, ku u shënua një viktimë dhe u shkaktuan dëme materiale që llogariten në dhjetëra milionë euro. Në kuadër të këtij hetimi, prokurorët kanë sekuestruar dokumentacionin që lidhet me ndërtimin e hidrovorit të ri në zonën e Porto Romanos, një investim me vlerë rreth 19 milionë euro.
Sipas grupit të hetimit, është sekuestruar dokumenti me titull “Hartim i studimit të projektit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën Porto Romano-Kënetë dhe sistemi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit”, i realizuar në kuadër të procesit të rindërtimit, me fond limit 87 milionë lekë.
Po ashtu, pranë Bashkisë së Durrësit është marrë e gjithë procedura tenderuese për ndërtimin e hidrovorit, si edhe dokumentacioni që lidhet me zbatimin e projektit në terren.
Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime serioze se hidrovori nuk ka funksionuar në momentet kritike, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në përmbytjet masive që përfshinë zonën.
Tenderi për ndërtimin e hidrovorit të Porto Romanos është fituar nga kompanitë “Vëllezërit Hysa”, “2T” dhe “Adriatik”. Kjo e fundit zotërohet nga babai i Spartak Kovaçit, ish drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës. Pikërisht për këtë arsye, hetuesit dyshojnë se procedura e prokurimit mund të ketë qenë e paracaktuar.
Ndërkohë, situata në terren vijon të mbetet shqetësuese. Si pasojë e përmbytjeve, humbi jetën punonjësi i ndërmarrjes së komunales së plazhit, Astrit Hysenaj, ndërsa rreth 1500 banesa dhe mijëra hektarë tokë bujqësore janë mbuluar nga uji.
Prokuroria e Durrësit po heton veprat penale të shpërdorimit të detyrës, përmbytjes së pronës dhe përmbytjes së pronës nga pakujdesia, për të përcaktuar përgjegjësitë institucionale dhe individuale që çuan në këtë situatë të rëndë.

