Gjyqi në Bruksel ndaj Franc Çopjas alias Gergely, i njohur si kreu i klanit “Çopja”, i cili akuzohet se ka trafikuar tonelata drogë nga Amerika Latine në Europë, është ndërprerë për shkaqe të pazakonta.
Sipas mediave belge, shkak është bërë prania e pleshtave të shtratit në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të mbahej seanca.
Të hënën në mëngjes, një prej anëtarëve të jurisë, vuri re se një plesht i ishte ngjitur në krahun e tij. Kur seanca dëgjimore rifilloi pas drekës, kryetarja e trupit gjykues vendosi të ndërpriste seancën për 24 orë në mënyrë që të merreshin masa sa i takon dezinfektimit të ambientit.
“Kjo po shkon shumë larg”, u shpreh kryetarja e trupit gjykues, Isabelle de Saedeleer, duke iu referuar problemeve të shumta me të cilat përballet vazhdimisht sistemi ligjor.
“Nuk dua të rrezikoj jurinë, avokatët, të pandehurit apo këdo tjetër”. Gjykata i këshilloi të gjithë të pranishmit të lajnë rrobat e tyre në 60 gradë Celsius në lavatriçe ose t’i fusin në frigorifer.
Procesi gjyqësor ndaj Çopjas në Belgjikë, po zhvillohet për vrasjen e Ardit Spahiut në një rrugë të Brukselit më 27 nëntor 2021. Sipas prokurorëve, vrasja u krye për larje hesapesh mes dy anëtarëve të organizatës kriminale.
Franc Çopja akuzohet edhe për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të Evropës.
Zbardhja e përgjimeve në “SkyEcc” zbuloi sesi ai prdorte lidhjet e tij shqiptare në Amerikën Latine për të trafikuar tonelata me kokainë e heroinë.
Franc Çopja, ndodhet në një burg belg që nga fundi i dhjetorit 2023, pasi u bë krimineli i parë i drogës që u ekstradua nga Dubai në Belgjikë.
Ai akuzohet në Belgjikë për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua me plumba në rrugë në Molenbeek në nëntor 2020. Autoritetet belge e konsiderojnë Gergely-n, si njeriun që dyshohet se urdhëroi vrasjen.
Viktima Spahiu ishte gjithashtu një njeri me reputacion; ai, nga ana tjetër, konsiderohej një udhëheqës i klanit “Alibej” (njeri i familjes me Endrit dhe Erion Alibej: i pari u ekzekutua në atë që njihet si “masakra e Bradasheshit” në Elbasan para disa vitesh, ndërsa vëllai i tij është kthyer në një të penduar të drejtësisë për llogati të SPAK).
Para ekstradimit të tij, Franc Çopja kishte jetuar në Dubai për një kohë të gjatë (ashtu si vëllai i tij Hajdar Çopja, i shpallur në kërkim nga SPAK) dhe kontrollonte trafikun e kokainës prej andej. Hajdari, vijon të jetë në arrati dhe dyshohet se fshihet në Dubai.
Në janar 2025, SPAK vendosi sekuestrimin e 10 milionë dollarë në kriptovaluta të dy vëllezërve Çopja nga Elbasani.
Përveç miliona dollarëve në kriptovaluta, Prokuroria e Posaçme i sekuestroi dhe dhjetëra pasuri të tjera të paluajtshme, si vila, toka, njësi banimi, njësi shërbimi, apartamente etj.

