Një iniciativë e pazakontë është paraqitur në Kongresin amerikan, ku kongresmeni republikan nga Florida, Randy Fine, ka dorëzuar një projektligj që synon t’i japë Presidentit Donald Trump autorizimin për blerjen e Grenlandës dhe shndërrimin e saj në shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Projektligji, i quajtur “Akti i Aneksimit dhe Shtetësisë së Grenlandës”, sipas Fine, ka për qëllim forcimin e interesave strategjike të sigurisë kombëtare të SHBA-së në rajonin e Arktikut, në një kohë kur, sipas tij, po rriten kërcënimet nga Kina dhe Rusia. Ai ka argumentuar se Danimarka nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të garantuar mbrojtjen e ishullit dhe se sovraniteti amerikan do të ishte në dobi të banorëve të Grenlandës.
Fine e konsideron Grenlandën jo si një territor periferik, por si një aset kyç për sigurinë kombëtare të SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike për kontrollin e korridoreve detare të Arktikut dhe arkitekturën e mbrojtjes amerikane. Sipas tij, lënia e këtij territori jashtë ndikimit amerikan do të krijonte hapësirë për regjime që, siç u shpreh ai, nuk ndajnë vlerat perëndimore dhe synojnë të minojnë sigurinë globale.
Në deklaratat e tij, Fine ka theksuar se administrata e Presidentit Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e kanë bërë të qartë se Arktiku po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një arenë të konkurrencës globale të fuqive të mëdha. Ai ka kritikuar politikat e administratës së kaluar, duke pohuar se dobësimi i pozicionit strategjik amerikan ka kërkuar tashmë veprime të vendosura për rikthimin e ndikimit të SHBA-së në rajon.
Projektligji pritet të ngjallë debat të gjerë politik dhe diplomatik, si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

