Pas largimit të Xabi Alonsos nga Real Madridi, klubi e zgjodhi një emër surprizë për ta marrë drejtimin e skuadrës: Álvaro Arbeloa.
Ish‑mbrojtësi legjendar i “Los Blancos”, i cili e ka kaluar tërë karrierën e tij në klub — si lojtar dhe më pas si trajner i akademisë dhe ekipit Castilla — e ka një vizion interesant për stilin e futbollit që dëshiron ta zhvillojë në ekipin e parë, përcjell “Gazeta Express”.
Arbeloa dhe ndikimi “Mourinhist”
Arbeloa është përshkruar në media si një “mourinhist”, një term që e ka përdorur vetë më herët për ta shpjeguar se çfarë lloj mentaliteti i pëlqen: një qasje direkte, luftëtare dhe pa frikë për t’ju thënë gjërat drejt.
Kjo filozofi është e lidhur me stilin e ish‑trajnerit të Real Madridit, José Mourinho, me të cilin Arbeloa e ka pasur një raport profesional dhe personal të ngushtë gjatë viteve që ka luajtur nën drejtimin e tij.
Si mund të luajë “Real Madrid i Arbeloas”?
Sipas analizave të para për stilin e tij si trajner, Arbeloa pritet ta kërkojë një futboll ofanziv por me intensitet dhe presing nga të gjithë lojtarët, duke e ruajtur kontrollin e topit dhe duke e kërkuar dominim në fushë.
Ai e përdorte shpesh një formacion 4‑3‑3 në skuadrat e mëparshme, që mund të shndërrohet edhe në një 4‑4‑2 në varësi të situatës dhe nevojave taktike.
Qëllimi kryesor është që skuadra të luajë me ritëm të lartë, me presion të vazhdueshëm dhe t’i kërkojë rezultatet qysh nga minuta e parë deri të fundit e ndeshjes.
Sfida e Arbeloas te Real Madridi
Kalimi nga klubi i të rinjve në bankinën e skuadrës së parë është një hap shumë i madh — veçanërisht në një klub me pritshmëri të jashtëzakonshme si Real Madridi.
Arbeloa duhet ta gjejë jo vetëm stilin e duhur taktik, por edhe balancën në dhomën e zhveshjes, teksa përballet me egot dhe teket e yjeve të ekipit.
Ai do të përpiqet ta ndërtojë një skuadër të fortë në presing dhe dominant në posedim, por gjithmonë në funksion të rezultateve.
Realiteti aktual
Zgjedhja e Arbeloas vjen menjëherë pas ndarjes me Alonson, një vendim që e ka tronditur skenën madrilene dhe futbollin botëror.
Tani, “Los Blancos” do ta provojnë një faqe të re nën drejtimin e një trajneri që e njeh klubin brenda e jashtë, por që për herë të parë do të përballet me presionin maksimal të një bankine elitare.

