Specialja i reagon Avokatit të Popullit: Pranimi i dokumenteve nga Serbia s’do të thotë që gjykatësit do të mbështeten në to

by informim peje

Gjykata Speciale ka bërë një postim, që mendohet se është reagim ndaj Avokatit të Popullit në Kosovë, i cili përmes një letre dërguar kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilovës, ka ngritur shqetësime, ndër tjerash, për pranimin e disa dokumenteve nga Serbia.

“FAKT: Një vendim për të pranuar prova nga Prokuroria ose Mbrojtja nuk është tregues sa peshë ose besueshmëri do t’u japin gjykatësit atyre, në qoftë se do t’u japin peshë”, thotë Specialja në një postim në X.

banner

“Ky vendim merret në kuadër të aktgjykimit në fund të paraqitjes së provave”, shtohet në reagim.

Gjykata Speciale thotë se “gjatë kuvendimeve për lëshimin e aktgjykimit, Trupi Gjykues vlerëson secilën provë duke mbajtur parasysh tërësinë e provave të administruara në gjykim”.

“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet në reagim.

Në letrën dërguar kryetares së kësaj gjykate, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, shkroi ndër tjerash se ka vërejtur “pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999”.

“Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet ndër tjerash në letrën e tij.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy