Qyteti i Deçanit është tronditur mbrëmë pas mesnate nga një incident i rëndë me armë zjarri, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.
Burime bëjnë të ditur se në mesin e të plagosurve dyshohet se është edhe avokati kosovar Daut Cacaj. Po ashtu, nga të shtënat janë plagosur edhe dy persona të nacionalitetit serb.
Sipas informatave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda një lokali, ndërsa në vendin e incidentit kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipet emergjente mjekësore. Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas janë dërguar për trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i nacionalitetit shqiptar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Gjatë intervenimit policor është sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “lëndim i rëndë trupor”. Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat dhe motivet e plota të kësaj ngjarjeje.

