Probleme të përkohshme të ngrohjes prekin disa lagje të Prishtinës, ndërsa KEK paralajmëron rikthimin e bllokut nesër.
NP “Termokos” SH.A. ka njoftuar konsumatorët se furnizimi me energji termike po realizohet me kapacitet të kufizuar për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B.
Kjo situatë ka ndikuar në uljen e cilësisë së ngrohjes për disa objekte banesore, sidomos në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit”.
Sipas njoftimeve të KEK-ut, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë rikthimin e furnizimit me energji termike me kapacitet maksimal dhe përmirësimin e plotë të ngrohjes për konsumatorët.
“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit me ngrohje, NP ‘Termokos’ kërkon mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve,” thuhet në njoftim.
Kompania apelon te qytetarët për kursim të energjisë termike deri në rikthimin e normalitetit, duke garantuar se po ndërmerren të gjitha masat për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.

