Një ngjarje tragjike është regjistruar në provincën e Trevisos, në Itali, ku një burrë ka humbur jetën pasi një mjet shpërthyes i mbetur nga Lufta e Parë Botërore ka shpërthyer gjatë manipulimit të tij.
Viktima është Attilio Frare, 56 vjeç, i njohur si koleksionist relikesh lufte. Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se kishte gjetur dhe mbajtur në mënyrë të paligjshme në banesën e tij një bombë të vjetër. Shpërthimi ka ndodhur në një magazinë veglash, në momentin kur Frare po përpiqej ta manipulonte mjetin shpërthyes, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe shërbimet e emergjencës, përfshirë edhe një helikopter. Autoritetet ndërhynë gjithashtu për të verifikuar nëse kishte persona të tjerë të lënduar, megjithëse deri më tani nuk ka konfirmime për viktima të tjera.
Një njësi e specializuar e Karabinierëve për çmontimin e mjeteve shpërthyese ka rrethuar zonën, pasi në ambient janë konstatuar edhe mbetje të tjera që mund të paraqesin rrezik. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar nëse në banesë ndodheshin edhe mjete të tjera shpërthyese.

