Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka njoftuar se sot dhe nesër në vend do të ketë reduktime të energjisë elektrike.
Në njoftimin e KOSTT-it thuhet se këto masa do të ndërmerren “për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit”.
“Me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit”, thuhet në njoftim.
KOSTT ka deklaruar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit, si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit. Megjithatë, sipas njoftimit, “për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jobalancat në nivelin e krijuar”.
“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, po rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, theksohet në njoftim.

