Real Madridi po përjeton një nga momentet më delikate të viteve të fundit. Brenda vetëm katër ditësh, skuadra madrilene u eliminua nga Superkupa e Spanjës dhe nga Kupa e Mbretit, duke ndezur alarmin në “Santiago Bernabéu” dhe duke rritur presionin mbi presidentin Florentino Perez.
Projekti i quajtur “Galaktikët 2.0”, pavarësisht afrimit të shumëpritur të Kylian Mbappé, nuk ka sjellë stabilitetin e dëshiruar. Kritikat janë shtuar për strategjinë e klubit, veçanërisht për mungesën e një mesfushori organizator pas largimit të legjendave Toni Kroos dhe Luka Modrić.
Në aspektin sportiv, eliminimet kanë qenë të dhimbshme: humbja në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës dhe dalja surprizë nga Kupa e Mbretit. Mbi të gjitha shkarkimi i Xabi Alonsos ishe lajmi që tronditi ambjentin merengues, me zërat që shtohen dita ditës, se hierarkitë brenda klubit tashmë janë thyer. Për këtë përgjegjësia kryesore bie mbi presidentin Fiorentino Perez. Mediat spanjolle duke pare situatën e krijuar me të drejtë shtrojnë pyetjen: A do të jetë 2026 viti i fundit i Perez në drejtimin e Real Madrid? Megjithatë, sezoni nuk është i mbyllur. Real Madridi renditet i dyti në La Liga, vetëm katër pikë pas Barcelonës, dhe vazhdon rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, ku ka ende shanse për të qenë protagonist. Situata mbetet e hapur dhe javët në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e sezonit madrilen

