Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, i ka ftuar në një takim sot ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit tha se Kurti e Bislimi i kanë njoftuar ata për për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, duke thënë se këto ligje janë të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe “veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve”.
“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
ZKM tha se Kurti ka folur me ambasadorët edhe mbi “domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate”.
Kurti, sipas ZKM-së, tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Europian dhe duke siguruar që “brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë”.
“Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve”.

