Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u nda nga jeta më 17 janar të vitit 1468, në Lezhë, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë shqiptare dhe europiane.
Gjergj Kastrioti lindi në vitin 1403 në familjen fisnike të Kastriotëve. Ai ishte biri i Gjon Kastriotit, një nga sundimtarët më të fuqishëm të kohës, që drejtonte territore të rëndësishme si Kruja dhe Mirdita, ndërsa nëna e tij ishte Vojsava. Në kohën e lindjes së Skënderbeut, principata e Kastriotëve shtrihej nga zonat e Prizrenit dhe Tetovës deri në brigjet e Adriatikut.
Skënderbeu vdiq në moshën 63-vjeçare, por figura dhe vepra e tij mbeten të gjalla në ndërgjegjen kombëtare. Ai konsiderohet nga historiografia perëndimore si një nga prijësit kryesorë që ndaloi përparimin e Perandorisë Osmane drejt Evropës Perëndimore, duke u kthyer në simbol të rezistencës dhe mbrojtës të Krishterimit.
Vdekja e tij shënoi edhe fillimin e rënies së pavarësisë shqiptare, e cila falë udhëheqjes së Skënderbeut kishte arritur të konsolidohej si një shtet i bashkuar. Qyteti i Krujës, i cilësuar për vite me radhë si “Akropoli i Krishterimit”, arriti të përballonte vetëm edhe një rrethim tjetër pas humbjes së prijësit të saj.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbetet një figurë unike e shekullit XV, jo vetëm si luftëtar dhe strateg i shkëlqyer, por edhe si udhëheqës me parime dhe ideale të larta. Ai u njoh si komandant i të gjitha fiseve shqiptare dhe si personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij.
Për 25 vite me radhë, Skënderbeu arriti të ndalë avancimin osman në Ballkan pa pësuar asnjë humbje vendimtare, duke fituar admirimin dhe respektin e mbarë Evropës së krishterë. Në Shqipëri, ai mbetet simbol i sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut, një hero që gjithmonë qëndroi në vijën e parë të betejës.
Edhe sot, kujtimi i tij mbetet i gjallë në jetën shqiptare. Emri dhe mbiemri Kastrioti janë kthyer në simbole nderi dhe krenarie, të trashëguara brez pas brezi, si një përgjegjësi për të ruajtur dhe nderuar vlerat që Gjergj Kastrioti Skënderbeu la pas.

