Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të premte, në portin e Hamburgut në Gjermani. Një tren ka përplasur një autobus dhe si pasojë ka humbur jetën një person dhe janë plagosur dhjetë të tjerë.
Sipas autoriteteve, një burrë humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra, kurse shoferi i autobusit mbeti i bllokuar në mjet dhe u lirua i fundit nga ekipet e shpëtimit dhe ai ndodhet në gjendje kritike. Dy persona të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa gjashtë kanë pësuar lëndime të lehta.
Sipas raportimeve, disa nga të plagosurit morën ndihmën e parë në vend, ndërsa një person u transportua në spital për trajtim të mëtejshëm.
Aksidenti ndodhi në një kalim hekurudhor të pambrojtur, në qendër të zonës së madhe portuale të Hamburgut, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar.
Operacionet e shpëtimit dhe hetimet po vazhdojnë, ndërsa departamenti i mjekësisë ligjore është angazhuar për të ndihmuar në zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

