Në përvjetorin e 45-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në fshatin Dubovik.
Me këtë rast, Kurti tha se përkujtimi i tyre është dëshmi se edhe para suprimimit të autonomisë së Kosovës, shqiptarët kishin patriotë të jashtëzakonshëm dhe veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan duke sakrifikuar gjithçka për shtetin dhe lirinë që sot gëzohet.
“Sot bëjmë nderime duke kujtuar se, edhe para luftës, shqiptarët nën Jugosllavi e Serbi nuk kishin paqe. Kjo dëshmohet nga demonstratat e shumta të asaj kohe, si dhe nga numri i madh i të burgosurve dhe të persekutuarve politikë”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë më pak se një vit pas demonstratave të vitit 1981, në një periudhë kur organizatat ilegale shqiptare po bashkoheshin dhe organizimi për Republikën e Kosovës po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha. Sipas tij, goditja ndaj tyre nga agjentët e UDB-së ishte përpjekje për ta ndalur këtë hov çlirimtar.
Kurti vuri në pah edhe dimensionin kulturor të veprimtarisë së Jusuf Gërvallës, duke kujtuar se ai, përveçse patriot, ishte edhe publicist, poet, shkrimtar, gazetar dhe intelektual i shquar. Ai tha se me vrasjen e tij nuk u humb vetëm një veprimtar politik, por u ndërpre edhe një veprimtari e pasur artistike e kulturore, e cila do të kishte lënë gjurmë edhe më të thella në jetën kulturore shqiptare.
Homazhet në Dubovik u shoqëruan me mesazhe nderimi dhe respekti për sakrificën e të rënëve, të cilët mbeten simbol i qëndresës dhe përpjekjes së pandërprerë për liri.

