Macron reagon kundër presionit të Trump për Grenlandën: Evropa nuk frikësohet nga tarifat

by engel

Presidenti francez Emmanuel Macron ka reaguar ndaj paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave shtesë ndaj vendeve evropiane, duke theksuar se Franca dhe Bashkimi Evropian nuk do të lëkunden përballë kërcënimeve ekonomike.

Në një reagim publik në rrjetin social X, Macron nënvizoi se Franca mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve, si në Evropë ashtu edhe më gjerë, duke shprehur mbështetje të plotë për Grenlandën dhe Danimarkën. “Asnjë frikësim dhe asnjë kërcënim nuk do të na ndikojë”, shkroi ai, duke i cilësuar paralajmërimet për tarifa si të papranueshme.

banner

Presidenti francez paralajmëroi se, nëse tarifat e shpallura nga Uashingtoni konfirmohen, Evropa do të reagojë në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar. “Ne do të sigurohemi që sovraniteti evropian të respektohet”, theksoi Macron, duke lënë të hapur mundësinë e kundërmasave nga BE-ja.

Deklaratat e Macron vijnë pasi Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do të vendosë tarifa prej 10 për qind mbi importet nga disa vende të NATO-s, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kanë dislokuar trupa në Grenlandë mes tensioneve në rritje rreth ishullit strategjik në Arktik.

Në një postim të gjatë në platformën Truth Social, Trump akuzoi Danimarkën dhe disa vende evropiane se kanë ndërmarrë veprime “për qëllime të panjohura” në Grenlandë, duke e cilësuar situatën si “jashtëzakonisht të rrezikshme për sigurinë globale”. Ai përsëriti se tarifat do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt me normë 10 për qind, ndërsa nga 1 qershori parashikohet rritja e tyre në 25 për qind.

Çështja e Grenlandës, e cilësuar nga Trump si thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një përplasje diplomatike mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë, duke vënë në provë unitetin transatlantik dhe marrëdhëniet brenda NATO-s.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy