Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka marrë një ftesë personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin Ndërkombëtar të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar dhe e kryesuar nga vetë presidenti amerikan.
Përmes një reagimi publik, Rama është shprehur i nderuar nga kjo ftesë, duke theksuar se Shqipëria është ftuar si anëtare themeluese e këtij bordi, çka sipas tij përbën një arritje të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se ky zhvillim dëshmon për transformimin e Shqipërisë në vitet e fundit, duke u shndërruar në një vend të dinjitetshëm dhe të respektuar globalisht. Sipas Ramës, kjo ftesë është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për nivelin në të cilin janë ngritur marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo është një tjetër majë ndërkombëtare, e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë”, ka shkruar Rama, duke shtuar se ftesa nga Presidenti Trump vjen me një respekt dhe vlerësim të veçantë për rolin e Shqipërisë në arenën globale.
Në fund të mesazhit të tij, kryeministri shqiptar ka falënderuar Presidentin amerikan dhe ka përcjellë urime për miqësinë mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA.
“Thank you Mr. President. God bless Albania and the United States”, ka përfunduar Rama.

