Kingsley Coman duket se ka marrë inspirim direkt nga Cristiano Ronaldo. Sulmuesi francez ishte protagonisti kryesor i fitores së rëndësishme të Al Nassr ndaj Al Shabab, duke realizuar një gol spektakolar me roveshatë, që i dha shtysë ekipit drejt një triumfi jetik në Roshn Saudi League.
Ndeshja në Al Awwal Park nisi vrullshëm për vendasit. Qysh në minutën e dytë, presioni i Al Nassr u konkretizua me gol, kur një top i devijuar nga Saad Belobaid përfundoi në rrjetën e vet, pas një krosimi të Joao Felix drejt Cristiano Ronaldos.
Vetëm pak minuta më vonë erdhi momenti magjik i mbrëmjes. Pas një aksioni të bukur nga krahu i majtë, Wesley asistoi me gjoks për Coman, i cili u ngrit lart dhe me një goditje akrobatike mbi kokë mposhti portierin Marcelo Grohe, duke ndezur stadiumin dhe duke kujtuar supergolin e Ronaldos të shënuar pak javë më parë.
Megjithatë, Al Nassr nuk arriti ta mbyllë herët ndeshjen. Al Shabab reagoi fuqishëm, fillimisht duke ngushtuar shifrat me një autogol të Mohamed Simakan, e më pas duke barazuar në pjesën e dytë me golin e Carlos Junior, pas asistit të Yannick Carrasco.
Momenti kyç i ndeshjes erdhi në minutën e 67-të, kur Vincent Sierro u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë Al Shabab me një lojtar më pak. Al Nassr përfitoi nga epërsia numerike dhe në minutën e 76-të gjeti golin e fitores: pas një tjetër krosimi të Angelo, Coman u ndal nga Grohe, por Abdulrahman Ghareeb reagoi shpejt dhe dërgoi topin në rrjetë.
Al Nassr e mbajti avantazhin deri në fund, duke siguruar një fitore të madhe morale, pas katër ndeshjesh pa fitore në kampionat. Me këtë triumf, skuadra reduktoi diferencën me kryesuesit në katër pikë, megjithëse Al Hilal ka ende një ndeshje për të luajtur.
Një mbrëmje spektakolare në Riad, ku magjia e Coman dhe përvoja e Ronaldos rikthyen buzëqeshjen te Al Nassr.
THAT Kingsley Coman bicycle kick vs. Al Shabab 🤯🤯🤯 pic.twitter.com/rA8PCpFzFI
— Roshn Saudi League (@SPL_EN) January 17, 2026

